E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Topi, replika në distancë

Kuvendi vonon ratifikimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Më datë 12 maj 2008, Presidenti Bamir Topi ka dekretuar sipas Kushtetutës tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, të cilët janë Kristaq Traja, Zamir Poda dhe Artan Zeneli, dhjetë ditë më pas me 22 maj 2008 kreu i shteti ka bërë publike edhe dy dekrete të tjera po për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj. Burime zyrtare nga Presidenca bëjnë të ditur se sipas rregullores, pasi firmosen, dekretet drejtohen drejt institucionit përkatës që në këtë rast është Kuvendi dhe me pas publikohen në faqen zyrtare të Presidencës. Kjo procedurë është ndjekur me të gjitha dekretet po kështu edhe me pesë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Sipas nenit 136 të Kushtetutës së Shqipërisë "anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit". Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas dekretimit të Presidentit Topi të pestë emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duhet t‘i kishte kaluar për shqyrtim ligjor në Komisionin e Ligjeve. Procedurë e cila deri më tani nuk është ndjekur. Spiro Peçi si jurist, por edhe si anëtar i Komisionit të Ligjeve sqaron se "me firmën e Kryetares së Kuvendit dekretet e Presidentit duhet të paraqiten në Komisionin e Ligjeve për t‘i shqyrtuar nga ana ligjore dhe më pas ata kalohen për votim në sallën e Kuvendit". Sipas rregullores, për procedura të tilla nuk është e nevojshme mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për të caktuar ditën se kur ata duhet të futen në seancën. Për të mos krijuar vakume institucionale, emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por edhe të institucioneve të tjera që dekretohen nga Presidenti dhe duan miratimin e Kuvendit paraqiten në Komision të Ligjeve menjëherë sapo ata protokollohen në Kuvend. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, megjithëse emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duhet të kenë gati dy javë në tryezën e Kryetares së Kuvendit. Tashmë ata po shtyhen edhe një javë tjetër, pasi Kryetarja Topalli kërkon informacione shtesë mbi veprimtarinë e këtyre gjyqtarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›