E Diel, 1 Nëntor 2026

"Politika, jo gogol, po t‘u shërbejë njerëzve"

"Politika, jo më një akth, por një zgjidhje, jo një gogol, por një shërbim për njerëzit". Fondacioni "Qemal Stafa" ka ndërmarrë një fushatë për ta afruar politikën sa më afër njerëzve, duke përdorur një formal larg asaj të zakonshmes. Pranë valëve të detit, me një organizim pse jo edhe pak artistik, politikbërësit e fondacionit pranë së majtës, kanë propozuar një forum diskutimesh për afrimin e politikës pranë njerëzve. Një aktivitet që është përgatitur në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike, ku në Vlorë është debatuar së bashku me të rinjtë mbi kuptimin e politikës dhe angazhimin rinor. Mbi 300 të rinj dhe shumë qytetarë të pranishëm në takim morën pjesë në këtë spektakël politik, i pari në llojin e tij në Shqipëri. Në hapje të takimit, drejtori ekzekutiv i fondacionit "Qemal Stafa" deklaroi se "Politika është vullnet, vullnet të duash ndryshimin, ta kërkosh, ta gjesh e ta realizosh atë. Politikë nuk është të shohësh televizorin e të lexosh gazetat e të marrësh vesh se si lloj-lloj figurash ekzaltohen duke u tallur me interesat tona, ndërkohë që mbushin xhepat e tyre. Politikë nuk është as të rrish mënjanë duke injoruar çdo zhvillim publik e duke u përkujdesur për hapësirën private. Sindroma e "brenda derës" është po aq e dëmshme sa edhe hutimi pas premtimeve të çdo sharlatani që vjedh vota për t‘u zgjedhur e pastaj vjedh edhe lekët tona për të qëndruar po aty. Publicisti i njohur, Mustafa Nano, tha se "Politika është t‘i shërbesh interesit publik dhe jo interesit privat. Politika është mjeti që shërben për realizimin e qëllimit, pra është një instrument në funksion të qëllimit madhor që është përmbushja e interesit publik. Politikë gjithashtu është të ushtrosh pushtetin që të dhurojnë qytetarët e t‘i japësh llogari po atyre për të gjitha veprimet që bën në ushtrim të këtij pushteti të dhuruar. Pra, politika do të thotë domosdoshmërisht edhe llogaridhënie". Ndërkaq, për publicistin

Artan Lame, "Politikanët janë ata që ne kemi votuar për të qeverisur. E kur ne gabojmë e votojmë njerëz të papërgjegjshëm, e votojmë njerëz që sapo marrin pushtetin bëjnë interesat e tyre personale, atëherë nuk mund të ankohemi dot derisa të vijnë zgjedhjet e tjera. Për këtë arsye është e domosdoshme të jemi të ndërgjegjshëm për ata që votojmë, e të votojmë më të mirët."



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›