E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Transparenca alibi për bojkotin e zgjedhjeve

Gjatë takimit u diskutua mbi proceset e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të Shqipërisë, angazhimin e Parlamentit Evropian në mbështetje të Shqipërisë, ecurinë e reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare si dhe mbi zhvillimet në rajon.

Meta shprehu vlerësimin për përkrahjen unanime të Komisionit të Jashtëm të PE për liberalizimin e vizave për Shqipërinë brenda vitit 2010 dhe për angazhimin e shprehur ndaj integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Meta vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Daul dhe Shulz për të kontribuar për përmirësimin e klimës politike në vend, në dobi të reformave të ndërmarra për integrimin evropian të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Meta u pyet mbi një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste, nga ku ka theksuar se transparenca e pretenduar nga Rama ishte vetëm një alibi për të bojkotuar zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Askush nuk ka patur dyshim në Shqipëri, që kjo nuk është një sfidë e nisur për transparencën e zgjedhjeve, por një alibi për të justifikuar një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve për shkak të frikës së kryetarit aktual të kësaj force politike për t`u përballur me votuesit në kryeqytet përsëri”, tha Meta.

Sipas tij “natyrisht që bashkë me shumë aktorë ndërkombëtarë të cilët kanë menduar se kjo ka qenë një çështje për transparencë, e kuptojmë se mungesa e vullnetit të lidershipit të Partisë Socialiste për të shfrytëzuar të gjitha rrugët që janë rekomanduar për të zgjidhur çështjet e transparencës, ka të bëjë me përpjekjen për të dëmtuar procesin e ardhshëm zgjedhor në vend dhe unë jam i bindur që kjo lloj sjellje nuk do të shpërblehet”.

Meta e garantoi z. Daul për vendosmërinë e palëkundur të Qeverisë shqiptare për forcimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, veçanërisht në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, menaxhimit të integruar të kufijve dhe ligjit Anti-Mafia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›