E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon samiti i Vendeve të Evropës Juglindore

Ky samit u organizua në Stamboll dhe përfundoi me publikimin e komunikatës së Stambollit.
Samitit i vunë vulën sulmet terroriste të përjetuara në Turqi, të cilat u dënuan me një deklaratë me shkrim, ndryshe nga komunikata përfundimtare. Në këtë deklaratë zë vend shprehja: "Dënojmë sulmet e fundit të organizatës terroriste PKK ndaj qytetarëve turq."

Presidenti Abdullah Gyl, në konferencën për shtyp që organizoi pas samitit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kundër terrorit dhe shtoi: "Nuk mund të bëhet fjalë për mentalitetin 'Terroristi im është i mirë, ndërsa terroristi yt i keq'."

Ndërsa për sulmin e Izraelit ndaj anijes "Mavi Marmara", në komunikatën përfundimtare zuri vend shprehja "e pritëm me keqardhje". Në këtë samit, ku u nënvizua rëndësia e madhe e grumbullimit rreth një tavoline të liderëve të një rajoni problematik si Ballkani, dhe publikimit të një komunikate që prek të gjitha problemet, një prej temave të rëndësishme të agjendës ishte edhe Kosova.

"Rreth statusit të Kosovës mund të ketë mospërputhje mendimesh, por për ne është tepër me rëndësi që të konfirmohet se tema bën pjesë në rrjetin evropian të bashkëpunimit", deklaruan burimet diplomatike dhe tërhoqën vëmendjen mbi referimet e bëra në temat e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Burimet diplomatike gjithashtu vunë theksin edhe mbi rëndësinë, që ka për rajonin, fakti që, në ceremoninë në plan për t'u organizuar me rastin e përvjetorit të masakrës së Srebrenicës, do të marrin pjesë së bashku Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ai i Bosnjë-Hercegovinës, Haris Sillajxhiç dhe Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan.

Ndërkohë në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, organizuar në Stamboll, Kreu i Shtetit turk, Abdullah Gyl shtroi një darkë për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të ftuar.

Gyl, në fjalimin e rastit u shpreh se e ardhmja e vendeve të rajonit është në një Evropë të bashkuar dhe vijoi me fjalët: "Ky rajon, në zemër të Evropës, prodhon paqe, stabilitet dhe mirëqenie." Pasi shpjegoi se trashëgimia kulturore e përbashkët e vendeve të Evropës Juglindore lidh të kaluarën me të ardhmen, Presidenti Gyl tërhoqi vëmendjen se kjo lidhje formon shtyllën vertebrale të përpjekjeve në drejtimi të integrimit politik dhe ekonomik.

Presidenti Abdullah Gyl deklaroi se muzika është një nga mënyrat, që shpreh më mirë identitetin kulturor dhe shtoi se "Kemi nevojë të këndojmë dhe dëgjojmë këngë miqësie e uniteti".

Kryeministri Erdoan dje dha një gosti për nder të liderëve, që ndodheshin në Stamboll me rastin e Samitit të vendeve të Evropës Juglindore. Erdoan në fjalimin, që mbajti aty, pasi kritikoi mosdhënien e mbështetjes për Turqinë në luftën kundër terrorit, tha: "Disa vende evropiane, pavarësisht dhimbjes së madhe të përjetuar nuk ja ndërpresin të ardhurat financiare organizatës terroriste dhe nuk i ekstradojnë anëtarët e kapur të organizatës terroriste. Kjo punë nuk përfundon thjesht duke shpallur PKK-në si një organizatë terroriste."
Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan tha se në temën e luftës kundër organizatës terroriste disa vende evropiane nuk e kishin dhënë mbështetjen e duhur.

Organizata terroriste nuk ndikon vetëm Turqinë, por edhe Evropën, duke thënë se “siguria e Ballkanit fillon nga Hakjar dhe Shemdinli”, kryeministri Erdoan bëri thirrje për luftë të përbashkët kundër terrorit.
Kryeministri Erdoan në kuadër të këtij samiti zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe edhe me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç dhe me Kryeministrin e Greqisë, Jorgo Papandreun./trt/start/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›