Meta: Vendimi i KE një hap pozitiv, do t’i hapë rrugë vendimmarrjes nga PE
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përshëndeti sot miratimin nga Komisioni Evropian të propozimit legjislativ lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. “Ky vendim është vlerësimi i një pune të shkëlqyer të autoriteteve shqiptare në drejtim të plotësimit të detyrimeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, u shpreh Meta. Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të përmbushë tre kërkesat e mbetura dhe të garantojë zbatimin e rezultateve të arritura në përmbushjen e Udhërrëfyesit. Për të, vendimi i sotëm i Komisionit është një hap pozitiv i cili do t’i hapë rrugë vendimmarrjes nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian për bërjen realitet të udhëtimit pa viza të qytetarëve tanë drejt hapësirës Shengen sa më shpejt të jetë e mundur.