Rama- Barrosos: Vendimi për vizat të mos varet nga situata aktuale politike
Kryetari i PS, Edi Rama, në një letër dërguar Presidentit të KE, Jose Manuel Barroso, shprehu mirënjohjen për lajmin e mirë se institucioni që Ju drejtoni do t’i propozojë në Samitin e Sarajevës vendeve anëtare të Bashkimit Evropian heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë. Ai kërkoi nga Barroso që “lëvizja e lirë e shqiptarëve të mos varet a lidhet në asnjë mënyrë me çfarëdo problemi që Shqipëria sot ka për shkak të mungesës së transparencës dhe të kushtetutshmërisë në një sërë aspektesh të administrimit të punëve të vendit, duke filluar nga vetë parlamenti ku këto mungesa themelore fatkeqësisht ndeshen rëndom”. “Apelin për heqjen e regjimit të vizave e për moskushtëzimin e kësaj procedure të shumëpritur për Shqipërinë e kemi bërë papushim, në Tiranë, Bruksel, Strasburg, Pragë, Sarajevë, kudo ku kemi gjetur një hapësirë evropiane për të thënë fjalën tonë në emër të një populli evropian, të shumëvuajtur pesëdhjetë vjet nën një prej regjimeve komuniste më brutale në botë dhe të mbetur sot e gjithë ditën brenda kufijve të vet të lëvizjes së lirë për shkak të një tranzicioni të stërzgjatur plotë mangësi e boshllëqe në ndërtimin e shtetit demokratik”, apeloi Rama.