Thaçi: Mbështes sundimin e rendit dhe ligjit
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një deklarate për shtyp vë në dukje të drejtën e protestës dhe të lëvizjes së lirë, kjo pas asaj të organizuar nga Vetëvendosje. Ai shpreh keqardhje për këtë protestë, duke e cilësuar si të dhunshme.
Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë nuk do të cenohet nga askush asnjëherë. Por, unë me vendosmëri e riktheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdor të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjetime të shtetit tonë.
Thaçi citon se policia, si autoritet kompetent për zbatimin e rendit dhe ligjit, ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore sipas standardeve dhe procedurave operacionale për të mbajtur situatën e qetë dhe nën kontroll gjatë protestës.
Si kryeministër, e kam për detyrë kushtetuese që të mbështes sundimin e rendit dhe ligjit dhe me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për profesionalizimin e treguar nga policia e Kosovës, e cila edhe pse e përballur me forcën e dhunës së përdorur nga protestuesit, ka mbajtur nën kontroll situatën dhe ka shmangur çdo eskalim të situatës, që do të mund të ishte me pasoja katastrofale, thuhet ndër të tjera në reagim.