E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Zgjedhjet lokale, sfidë për LSI

Mbledhja Lëvizja Socialiste për Integrim mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar për situatën politike dhe zgjedhjet e ardhshme

Shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme lokale kanë përpara dy alternativa, atë të votimit të një force të qëndrueshme që kërkon integrimin si LSI apo atë që kërkon që Shqipëria të bëhet si Kirgistani. Kjo ishte thirrja që bëri dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së. Sipas Metës, LSI nuk u krijua si një forcë politike për t’u shërbyer interesave të një grupi të caktuar njerëzish, por është një forcë politike që hapi një rrugë të re dhe afatgjatë në Shqipëri me një investim gjatë këtyre viteve.

“Ne po ecim në rrugën e dialogut politik, e një konsensusi gjithë një më të gjerë social, pasi dihet që në Shqipëri sot ofrohet edhe një alternativë tjetër, që është alternativa, për fat të keq e shprehur nga vetë ata e Kirgistanit”, bëri krahasimin Ilir Meta. Sipas tij, LSI në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ofronte kandidaturat më të mira, pikërisht ata njerëz të cilët kishin besimin e komunitetit dhe gjithashtu do të korrigjonte edhe ato gabime të mëparshme që kishte bërë me zgjedhjen e kandidaturave.

“është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme vendore të vlerësojnë në bazë të angazhimit për të zgjedhur problemet dhe shqetësimet e tyre të përditshme përfaqësuesit më të mirë”, bëri thirrje Meta. Nga ana tjetër, Meta deklaroi dje se opozita shqiptare nuk ka asnjë kontribut në proceset e integrimit dhe liberalizimit të vizave, madje po kërkon ta ndalë këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë.

“është për të ardhur keq që në këtë angazhim për dy gjëra të mëdha që kanë të bëjnë me interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm nuk kemi ndier mbështetjen dhe ndihmën e forcave të caktuara në opozitë, por përkundrazi vëmë re një mungesë përgjegjësie dhe një pasion fatkeq për të nxirë çdo gjë”, theksoi Meta. Sipas ministrit të Jashtëm, është paradoksale të kujtohet se ditën që dorëzohet Pyetësori i KE me përgjigjet e tij në Bruksel, po atë ditë në Tiranë kryetari i partisë më të madhe të opozitës bënte thirrje për mosbindje civile dhe për konfrontim civil. “Kjo bëhet pikërisht për të dëmtuar dhe penguar përshpejtimin e procesit integrues në Europë që është në interes të gjithë shqiptarëve përtej së majtës dhe përtej së djathtës”, theksoi kreu i LSI-së. Sipas tij, opozita duhet të merrte pjesë në Parlament dhe me të ishte aktive dhe bashkëpunuese për të pasur kontribut real në proceset integruese.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›