Meta, ambasadores së Egjiptit dhe Sirisë: Njihni Kosovën
Shqipëria kërkon që Egjipti dhe Siria të bëhen pjesë e listës shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri, njëkohësisht dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje ambasadoren e Republikës Arabe të Egjiptit në Shqipëri, Amina Imam Gomaa, dhe atë të Sirisë me rezidencë në Athinë, Houda Al Houmsi. Z. Meta vlerësoi lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Egjiptit, rolin e Egjiptit në botën arabe, duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për t’i zgjeruar ato më tej, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Gjithashtu, Meta i shprehu ambasadores Gomaa dëshirën për të parë Egjiptin të rreshtuar në anën e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që do t’i shërbejë stabilitetit të rajonit. Nga ana e saj, ambasadorja Gomaa e falënderoi dhe u shpreh: “Qeveria egjiptiane po i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajonin tonë, veçanërisht në Kosovë si dhe qëndrimet e shteteve të ndryshme ndaj njohjes së pavarësisë së saj”. Po dje, z. Meta u takua dhe me ambasadoren e Republikës Arabe të Sirisë në Shqipëri me rezidencë në Athinë, Houda Al Houmsi. Ministri shqiptar i Jashtëm i kërkoi ambasadores Al Houmsi që emri i Sirisë të jetë pjesë e listës së shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës. Ambasadorja Al Houmsi theksoi: “Siria do të jetë shumë e gatshme për të bashkëpunuar me qeverinë e re shqiptare dhe do të përshpejtojë përfundimin e procedurave ligjore të marrëveshjeve që janë në proces”.