Zgjidhet kryetarja e re e FGS, Olta Xhaçka në krye të grave socialiste

Deputetja Olta Xhacka do të drejtojë Forumin e Gruas Socialiste. Xhacka u zgjodh me vota unanime në Kongresin e Forumit të Gruas Socialiste Shqiptare, i cili u mbajt gjatë ditës së sotme. Kongresin e Gruas Socialiste e përshëndeti edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ndërkaq deputetja e PS, Arta Dade, gjatë fjalës së saj përshëndetëse vlerësoi kontributin e grave në politikë, në mënyrë të vecantë të grave socialiste, ku theksoi se kudo në pozicionet e tyre ato kanë krijuar modele të mira qeverisëse.
“Bashkohuni me ne për një Shqipëri shumë herë më të mirë, me dinjitet e krenari. Gratë dhe vajzat janë garanci për ndryshimin e madh, politika nuk është vetëm për burra, kam bindjen se demokracia do të funksionojë. Një shoqëri e emancipuar është ajo që drejtohet edhe nga gratë edhe nga burrat. Gratë socialiste refuzojnë të përkrahin modelet politike të burrave famëkeq, ashtu siç bëjnë gratë në krahun tjetër politik” u shpreh Dade.
Kongresi i grave socialiste po sot ka miratuar statusin e Forumit të Gruas si dhe ka zgjedhur asamblenë dhe kryesinë, të cilat do të nisin më pas punën për të dhënë kontributin e tyre në zgjedhjet e vitit 2013.