Meta e Kryemadhi zyrtarisht të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka marrë të pandehur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, për aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Ndaj të dyve rëndojnë tri akuza për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.
Meta reagoi në Facebook, duke e cilësuar hetimin një farsë. Ai pati edhe një komunikim me gazetarët nga telefoni.
“Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të incineratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre,” tha Meta.
Ndërkohë znj. Kryemadhi ishte vetë e pranishme në komunikimin e akuzave në SPAK.
“Tashmë do ta fillojmë dhe… Prokuroria do të ketë evidencat e veta, ne do të kemi evidencat tona. Do të fillojmë ballafaqimin në Gjykatë,” tha ajo.
Znj. Kryemadhi ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa Meta është në arrest me burg që nga 21 tetori i vitit të kaluar.
SPAK e akuzon Metën se gjatë kohës si ministër i Energjetikës ai ka favorizuar kontratën për borxhet e CEZ-it, duke ia dhënë një fituesi që nuk i plotësonte kriteret, dhe ka përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim. Gjithashtu, hetimet përfshijnë kontratat e lobimit në SHBA dhe blerjen e një apartamenti në zonën e ish-Bllokut, ku SPAK dyshon për pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.
Çështja tashmë i ka kaluar GJKKO-së, e cila do të marrë vendimin përfundimtar nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/