Meta e Pollo mungojnë në qeveri
Ditën kur Kryeministri Sali Berisha ndau publikisht detyrat për anëtarët e kabinetit qeveritar, u vu re mungesa në mbledhje e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe ministrit të Shtetit, Genc Pollo. Aktivitetet zyrtare jashtë Shqipërisë të dy ministrave, Meta dhe Pollo, kanë bërë të mundur që mungesa e tyre në mbledhje të binte në sy, por edhe Kryeministri të qëndronte më lirshëm në ditën që për koincidencë përkonte me ndarjen e detyrave të progres-raportit për ministrat e tij. Ky boshllëk, gjatë mbledhjes u krijua si pasojë se ministri i Shtetit, nuk ka asnjë zëvendësues, ndërkohë Ministria e Jashtme përkohësisht është vetëm me një zëvendësministre, post ky që përfaqësohet nga PD-ja me Edith Harxhin. Këshilli i Ministrave në disa mbledhje seri do të përcaktojë përfundimisht të gjitha emrat e zv/ministrave të qeverisë së integrimit europian, për të plotësuar vendet vakante.