Ndërtohet Muri i Berlinit. Këtë herë me domino shumëngjyrëshe
Muri i Berlinit do të kthehet sërish në Gjermani pas 20 vitesh, vetëm se këtë herë do ta ndajë kryeqytetin për një kohë shumë të shkurtër. Por në vend të betonit dhe çimentos, ky mur do të përbëhet nga gurë dominoje shumëngjyrësh. Muri do të jetë pjesë e festimeve shumë të kushtueshme, me të cilat Berlini dhe gjithë Gjermania do të kujtojnë përvjetorin më të rëndësishëm për këtë vend të dhjetëvjeçarëve të fundit. Për këto festime janë parashikuar miliona dollarë. Për sa i përket murit, ai do të jetë 1.5 kilometra i gjatë dhe do të jetë një segment që do të qëndrojë në mes të Berlinit për dy ditë rresht. Ai do të përfundojë në Portën e famshme të Brandenburgut. Rreshti i parafundit, i përbërë nga 1000 domino, ku secila prej pjesëve peshon 20 kilogramë, është konceptuar si një mur shumëngjyrësh i rikrijuar dhe vizatuar nga fëmijët e shkollave. Muri është 2.5 metra i lartë dhe do të shembet në mënyrë simbolike në përfundim të një ceremonie gala që do të simbolizojë edhe rënien e murit të vërtetë, 20 vjet më parë. "Ky ‘mur‘ do të jetë vetëm një kuriozitet i përkohshëm", ka deklaruar kryebashkiaku i Berlinit, sipas të cilit kjo është vetëm një nga veprimtaritë që pritet të organizohen me rastin e jubileut të madh. Përveç tij është organizuar në Berlin edhe një festival dyditor në pjesën lindore të Berlinit. "Nuk mendoj se ndokush mund të mendojë se po ngremë sërish një mur në mes të Berlinit. Ka shumë nga ata që nuk e pëlqyen, madje e tallën fillimisht idenë, por më pas ranë dakord se simbolika e tij është shumë domethënëse në këtë përvjetor", ka vazhduar kryebashkiaku i Berlinit. Në festime do të marrin pjesë liderët kryesorë të Europës, Presidenti rus, Medvedev, Presidenti francez, Sarkozi, Kryeministri britanik, Braun, sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton. Muri i Berlinit u shemb më 9 nëntor të vitit 1989, pas muajsh të tërë të një tensioni gjithnjë e në rritje jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Europën Lindore dhe Qendrore që deri në atë moment ishte pjesë e influencës sovjetike. Me rënien e tij, shumë njerëz vrapuan që të kalonin pengesën, sidomos pas lajmit të qeverisë së Gjermanisë Lindore se tani njerëzit ishin të lirë që të shkonin në Perëndim. Muri i Berlinit, simbol i Luftës së Ftohtë që ndau qytetin e mrekullueshëm për së gjalli dhe bashkë me të vetë Gjermaninë u shemb në mënyrë paqësore. Dy Gjermanitë u bashkuan 11 muaj më vonë, në vitin 1990.
Muri nisi si një kordon telash me gjemba i ndërtuar nga rojet komuniste mëngjesin e 13 gushtit të vitit 1961. Më pas u ndërtua edhe muri që ndau familje, prishi lidhje njerëzore e ndau një komb për së gjalli. Ai ishte 160 kilometra i gjatë dhe tanimë prej tij nuk kanë mbetur vetëm disa copa suvenirësh dhe kujtimi i trishtë i një ndarjeje të padrejtë
Muri nisi si një kordon telash me gjemba i ndërtuar nga rojet komuniste mëngjesin e 13 gushtit të vitit 1961. Më pas u ndërtua edhe muri që ndau familje, prishi lidhje njerëzore e ndau një komb për së gjalli. Ai ishte 160 kilometra i gjatë dhe tanimë prej tij nuk kanë mbetur vetëm disa copa suvenirësh dhe kujtimi i trishtë i një ndarjeje të padrejtë