E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta e Prifti i hedhin fajin njëri-tjetrit për videon

Për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, akuzat janë të montuara nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Sipas tij, Rama prej dy muajsh shkon çdo ditë në shtëpinë e Priftit për të montuar këto akuza.

“Regjisori i këtyre montimeve është Edi Rama. Zoti Rama më kërkon mua dorëheqjen sepse ai ka hall të luftojë korrupsionin? Pikërisht me njeriun që e akuzoi në mënyrën më të jashtëzakonshme për të korruptuar? Zoti Prifti u tha shqiptarëve se këtë njeri e kam parë në zyrën e tij duke marrë kokainë prej 3 mijë euro. Përdorimi i këtij njeriu dhe marrja në mbrojtje e kësaj kasete të montuar bëhen për të luftuar korrupsionin? Jo, po të ishte qëllimi për këtë çështje do ta kishin çuar në prokurori. Para një jave kam marrë një telefon nga zoti prifti por nuk e kam hapur pasi kjo do të ishte një tentativë për të gjetur një mundësi përveç shantazhit”, ka thënë Meta për emisionin “Opinion”.

I pyetur nëse kredibiliteti i LSI-së ka rënë me publikimin e kësaj videoje, Meta tha se ishte i vendosur për ta përballur atë me sukses. “Jam i vendosur për ta përballuar këtë sulm, këtë shantazh monstruoz që nga regjia e ndërtimit të tij dhe deri tek publikimi e rruga e shantazhit. Jam i vendosur ta përballoj me qetësi, në mënyrë politike, morale dhe do përballohemi edhe me votuesit deri në 8 maj. Qytetarët kur të binden për montazhin dhe përveç pështirosjes që krijon jam i bindur se nuk do ta pranojnë këtë amoralitet. Nëse pranohet standardi që të gjithë të përgjojnë të gjithë.... e përgjon që të mbrosh korrupsionin tënd apo të komandosh lëvizjet politike?”, vijoi ai.

Ndërkohë, në krahun tjetër, Dritani Prifti akuzoi Metën se së bashku me Berishën dhe Lulzim Bashën po tentojnë të marrin Partinë Socialiste. “Ky burri ( Ilir Meta) është pjesë e një skenari ogurzi për Shqipërinë. Ky burri ( Ilir Meta) bashkë me Sali Berishën, Lulzim Bashën kanë bërë plan që me cdo mënyrë t’i marrin Edi Ramës Bashkinë e Tiranës. Ilir Meta pas kësaj, me disa njerëz që janë brenda Partisë Socialiste dhe disa që janë jashtë, do të ndërmarrë një fushatë kundër Edi Ramës për të marrë Partinë Socialiste, duke përdorur paratë e pista që po fiton. Imagjinoje cfarë skenari ogurzi që është për Shqipërinë, që këta njerëz të bëjnë edhe opozitën edhe mazhorancën. Unë kam informacion besoj tepër të saktë nga takimet që ka patur Meta-Nano në dreka të ndryshme të tyre. Imagjinoni Shqipërinë me një lider të tillë të opozitës, me këtë lider të mazhorancës e me president Fatos Nanon. Ilir Meta ka folur për këtë skenarin jo vetëm me mua por edhe në biseda me persona nga vetë Partia Socialiste për marrjen e kësaj partie”, tha Prifti në Top Story.

                                                                                             2011-01-14 08:50
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›