Meta kërkon të përmirësojë imazhin, niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Vetëm pak ditë pas kthimit të Edi Ramës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përtej Atlantikut është nisur për një vizitë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Mësohet se vizita e Metës do të zgjasë dy ditë dhe parashikohen takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Kongres dhe Senatin Amerikan. Vizita e Metës bëhet me ftesë të Qendrës për Marrëdhëniet Transatlantike të universitetit John Hopkins. Meta do ta nisë vizitën duke mbajtur një fjalë në panelin prestigjioz të Qendrës për Marrëdhëniet Transatlantike në Uashington, me temë Çfarë mund ti tërheqë investimet e huaja në Shqipëri.
Meta do të ketë mundësi të zhvillojë takime të tjera në DASH, por edhe në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Takimi i kreut të LSI-së në SHBA vjen në një kohë kur Uashingtonin pak javë më parë e vizitoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, si dhe lideri i opozitës, Edi Rama. Që prej vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë që e nxori të pafajshëm për skandalin e cilësuar Meta-Prifti, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim është investuar në përmirësimin e reputacionit publik duke realizuar vizita në Gjermani dhe në Slloveni. /lajmifundit