Meta me këshilltarët në Durrës: Denonconi korrupsionin

Në kuadër të takimeve që po zhvillon me keshilltarët bashkiak të zgjedhur në 14 Maj, Meta është ndalur sot në qytetin bregdetar të Durrësit, ku foli për problematikat me të cilat hasen banorët e këtij qyteti.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur angazhimin se këshilltarët e bashkisë të zgjedhur nga forca politike që ai drejton do të kenë në fokus së tyre denoncimin e korrupsionit dhe ngritjen e problematikave që vështirësojnë jetën e banorëve.
“Grupi ynë i këshilltarëve duhet të vendosin në axhendën e punës së këtyre këshillave problemet e qytetarëve dhe për ti ballafaquar drejtuesit me mosmbajtjen e premtimeve për shkak të korrupsionit”, u shpreh Meta.
“Një nga pasojat e para të zgjedhjeve të 14 majit për Durrësin ishte shpallja e falimentit të ndërmarrjes së Ujësjellësit të Durrësit, një ndërmarrje elektorale. Ku shkuan mbi 170 mln euro grante për ujësjellësin e Durrësit? Vetëm vitin e fundit u dyfishuan humbjet dhe kështu ndodh që ndërmarrje si kjo shndërrohen në ndërmarrje elektorale, ku prioritet është korrupsioni”, tha Meta.
Sipas kreut të Partisë së Lirisë, “Durrësi është një parajsë për ata që e shfrytëzojnë atë, por një sfidë e madhe për të përballuar jetesën për familjet durrsake. Aq sa është e pabesueshme që të ardhurat mesatare të një familjeje në bashkinë e Durrësit janë nën mestaren për një familje në nivel kombëtar. Është e pabesueshme, por e vërtetë, niveli zyrtar i papunësisë sipas INSTAT në vitin 2022 është 16%, 5% më shumë se niveli kombëtar i papunësisë. Edhe pse Durrësi është një qytet me potenciale të madhe, por është një bashki e cila është përfshirë nga ethet e plakjes. Numri i qytetarëve të Durrësit vjen nga viti në vit në rënie”, përfundon Meta.
/rtsh.al/