Meta mesazh Berishës: Opozita të qëndrojë larg frymës së bojkotit
Në intervistën e tij të parë si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka theksuar se puna e tij në drejtim të këtij institucioni do të bazohet vetëm tek zbatimi i rregullores në mënyrë të paanshme dhe jo paragjykuese, duke i dhënë hapësirë të barabartë të gjitha palëve. Unë nuk do të përpiqem, në detyrën e kryetarit të Kuvendit, as të jem avokat i opozitës dhe as avokati i maxhorancës, por të jem një avokat sa më i drejtë i rregullores, e cila për fat të mirë është miratuar me konsensus vetëm pak muaj më parë nga të gjitha forcat politike. Do të përpiqem që në një frymë sa më konstruktive të bashkëpunoj ngushtë pa paragjykime me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare në mënyrë që ne të arrijmë, përmes përfaqësimit tonë në Parlament të reflektojmë vërtet atë dinjitet dhe shpirt europian që qytetarët tanë treguar në 23 qershor, duke marrë pjesë në një proces zgjedhor të standardeve evropiane, tha Meta. Sipas Metës, fakti që gjatë votimit mori 91 vota, pra 8 më shumë sesa është numri i shumicës së majtë është një tjetër detyrim për pozicionin e tij në drejtim të Kuvendit. Fakti që u arrit të merreshin më shumë vota se sa është numri aktual i maxhorancës të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm se më detyron akoma me shumë për një frymë sa më konstruktive dhe gjithëpërfshirëse në drejtimin e Kuvendit”, theksoi Meta. Ndërkohë kryetari i Kuvendit ka theksuar gjithashtu, se opozita e re nuk duhet të zgjedhë si rrugë të saj bojkotin parlamentar, siç bëri në seancën e fundit. Dua të besoj se opozita e re do të qëndrojë larg frymës së bojkotit përmes pjesëmarrjes së saj. Natyrisht që parlamentarizmi kërkon edhe durim, kërkon edhe vetëpërmbajtje, sigurisht që nuk mund t’i shkrijmë partitë apo Qeverinë edhe opozitën, sepse i shohim edhe çështjet nga dy këndvështrime të ndryshme, por duhet të kemi durim për të dëgjuar konsideratat politike të secilit, pavarësisht edhe kur nuk na pëlqejnë, sepse mendoj se në këtë mënyrë do ta çojmë përpara parlamentarizmin dhe do të uroja që të gjithë të përqendrohen në atë që duhet bërë dhe në atë që duhet bërë më mirë, në mënyrë që ne vërtetë të arrijmë një parlamentarizëm të standardeve më të zhvilluara europiane siç e meritojnë qytetarët dhe votuesit tanë, tha Meta. Për Ilir Metën është e rëndësishme që Kuvendi të marri një rol parësor në demokratizmin e jetës politike në Shqipëri duke ofruar modelin e Kuvendimit paqësor që synon në radhë të parë sipas tij zhvillimin e vendit, duke pasur parasysh të ardhmen e përbashkët pavarësisht kaheve politike./TCH