Rama në Kosovë: Këtu demokracia funksionon më mirë se në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar sot një vizitë në Kosovë. Kjo është edhe e para vizitë zyrtare e Ramës si kryeministër i mandatar. Pas takimit me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, Rama bëri një vlerësim të veçantë për shtetin kosovar. Unë e shoh Kosovën sot si një shtet pesë vjeç, që ka çfarë ti mësojë shtetit 101 vjeç, që qeveria jonë përfaqëson, si një shoqëri që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në shtetndërtim dhe si një hapësirë ku funksionon më mirë se në Shqipëri demokracia e çdo dite, tha Rama. Ai theksoi se në për shqiptarët është momenti më i mirë i jetës së tyre në rajon. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Thaçi, ka kërkuar bashkëpunim të mëtejshëm në të gjitha sferat, duke mësuar nga përvojat e mira të të dyja shteteve. Ne do të punojmë maksimalisht në frymën evropiane, për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon, tha Thaçi. Ndërsa kryeministri Rama u shpreh se në muajin nëntor do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive. Sipas tij do të hapet kapitulli i ri i bashkëpunimit me Kosovën, duke nënvizuar se tashmë është hapur një epokë e re për rajonin, falë edhe marrëveshjes mes Beogradit e Kosovës.