Meta, midis integrimit evropian ose integrimit në PD
Kur sovrani (populli) votoi në parlamentaret e 2009-ës, vendosi të mos i japë asnjë partie shumicën për të qeverisur e vetme vendin. Partia Demokratike doli si forca politike me numrin më të madh të deputetëve, por koalicioni i drejtuar prej saj nuk shkoi më shumë se 70 ndenjëse. Një shifër kjo që kushtetueshmërisht e bënte të pamundur krijimin e një qeverie. Normalisht vendi duhet të rishkonte në zgjedhje të reja politike. Dhe, kur pritej të ndodhte kjo, ndodhi pikërisht ajo që nuk pritej: njëra nga forcat politike që kishte hyrë e vetme në zgjedhje, por që si kazus kishte rrëzimin e Berishën nga pushteti i fituar në 2005-ën, lidhi koalicion me këtë të fundit. Si arsye madhore nxori atë se vendi smund të shkonte në destabilitet politik kur përparësia duhet të ishte integrimi dhe me këtë tezë jetësuan të ashtuquajturën Qeveria e Integrimit.
U siguruan pra 74 numra, të cilat jepnin siguri për një qeverisje pa probleme. Ndonëse me numër shumë të vogël deputetësh, LSI-ja kërkoi përfaqësim politik në të gjitha nivelet, pasi numrat e saj vërtetë ishin përcaktues për mbarëvajtjen e qeverisjes. Përpos kësaj, ajo mori me vete edhe një kosto politike, pasi tradhtoi shumë nga ata që e votuan pikërisht për të kundërtën e asaj çka vendosi pjesa drejtuese e partisë, qoftë kjo edhe me një Konventë që skishte shans të dilte kundër asaj që tashmë kish marrë udhë.
Pushteti normalisht të josh pasi në vende si ky i yni qenia në qeverisje, qendrore a lokale, asnjëherë nuk është parë si mundësi për të mirëqeverisur, për të shpalosur një mënyrë vizionare drejtimi me frymë europerëndimore, për të luftuar të keqen: krim, korrupsion, prepotencë, arrogancë, monopol, oligopol …; e për ti dhënë udhë të mirës: duar të pastra, drejtësi sociale, treg i lirë, i hapur e konkurrues, përunjësi, ndershmëri …
Vajtën si vajtën gjërat dhe ajo që hyri në bashkëqeverisje si garantuese jo vetëm për integrimin, por edhe si një pengesë që qeverisja e re sdo mund të përsëriste prapësitë e 4-vjeçarit të mëparshëm, ra në po të njëjtat ujëra të pista të moçalit korrupsion.
Si të tillë ata u infektuan me po atë sëmundje që po dergjte forcën bashkëqeverisëse duke pasur tashmë të dyja të njëjtën diagnozë. Ndonëse sëmundja mbetet sëmundje, ka edhe ilaç për ta kuruar. Kura është e vështirë, kortizonale, që jep edhe efekte anësore, por nëse stë shpie drejt vdekjes, pa pasoja nuk të lë.
Por që ta luftosh sëmundjen duhet edhe vullnet i brendshëm, sepse po e lëshove veten ajo të përpin dhe ska ilaç që të bën derman. Vullneti është çështje karakteri që në rastin tonë si përket një individi pasi tërësia e interesave shtrihet përtej një njeriu të vetëm e nis si fillim në formë vertikale në kupolën drejtuese e pastaj në formë horizontale shtrihet deri në bazë. Dhe rrezja horizontale, tashmë e zgjeruar, kur shkon në pikën e saj fundore përplaset fortë dhe rikthehet edhe më e fortë andej nga u nis.
Nëse fillimi i aventurës kishte në brendi njerëz idealistë që vinin më së shumti nga papunësia por me një dëshirë, për të parë një formë qeverisëse që ata mendonin se duhet të ishte ashtu siç edhe besonin, me kalimin e kohës dhe rehatimin në vende pune që iu sollën të mira materiale në një kohë të shpejtë, ku ligj nuk ishte Ligji, ai i shkruari në Kode e miratuar në Kuvend, por ai i shkruari në Marrëveshje e i jetësuar në përqindje qeverisje, atëherë, kjo e dyta, i bëri grykës të mëdhenj, shtatanikë në padurim dhe nga garantues të ligjshmërisë u bënë dubëlshpërdorues të bashkëqeverisjes.
Marrëveshja është marrëveshje, thotë i vogli, dhe ne do e respektojmë atë, pra qeveria do mbahet si do mbahet, por deri më 2013-ën ka për ta shtyrë. Domethënë hajde të qeverisim nën korrupsion. I fëlliqur ti, i fëlliqur unë, përshtypje nuk na bën sepse kemi marrëveshjen që na mban më këmbë. Pra, i bie që edhe pavarësia në korrupsion të jetë pjesë e marrëveshjes. Të kuptohemi, ka marrëveshje publike të shkruara e zeza mbi të bardhë e të firmosura me bojë të njomë, por ka edhe marrëveshje të nënkuptuara, të firmosura me frymë të thatë. E para mund të jetë shumë e bukur, por duhet ti ruhemi kësaj të dytës, sepse kjo na merr më qafë.
Kësaj marrëveshjeje qeverisje ia kuptuam përmbajtjen dhe synimet e saj i shfaqën me aq transparencë e siguri, saqë as ligji penal su bëri dot gjë. E vetmja pikë që ende mund ti japë kuptim asaj palo marrëveshje është ajo për integrimin e vendit. Aaa prit, se këtu nuk e kemi vetëm ne në dorë. Këta partnerët ndërkombëtarë që na ndihmojnë në rrugëtimin tonë të padrejtim për tu integruar (busulla është me defekt), na kanë përcaktuar disa prioritete për ti realizuar. Midis shumë prej tyre që vërtetë janë thelbësore për ecurinë e mëtejshme të shtetit të së drejtës dhe demokratizimit të plotë të vendit është futur edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit. Jo si pikë e drejtpërdrejtë, por e artikuluar shumë shpesh së fundi edhe në publik, paçka se në kanale diplomatike asaj po i jepet prioritet.
Në vitin e largët 2002, kryetari i vogël i partisë bashkëqeverisëse [me interesimin e europartnerëve] ndali kryetarin e partisë së tij të katapultohej si kreu i shtetit duke i dhënë mundësinë opozitës së kohës të propozonte një emër të sajin dhe nën konsensus e votuan të dyja palët. Sot ai ka sërish shansin të kontribuojë që bashkëqeverisësi i tij ta fusë procesin në frymën e konsensusit me opozitën. Nëse Sali Berisha nuk e konsideron, Ilir Meta ka gjithë të drejtën e bllokimit. Një të drejtë që siç e theksova qysh në hyrje, ia ka dhënë sovrani.
Kjo sdo të thotë që me këtë veprim Meta dhe gjithë ajo pjesë e korruptuar e LSI-së në administratë pastrohen. Thjesht ai zbaton pikën që e ka shumë për zemër, integrimin. Jo se do integrohemi sapo të zgjedhim Presidentin, por duke qenë se edhe kjo çështje është futur si njësi matëse për klasën politike, atëherë ai ka obligim për ta çuar përpara të vetmen pikë që ia justifikon bashkëqeverisjen. Dhe për këtë duhet të flasë hapur, qartë e pa asnjë mëdyshje me aleatin e madh bashkëqeverisës. Takimi i parë i tyre tregoi një Berishë më të tërhequr nga idea fillestare për të zgjedhur nga radhët e veta Presidentin. Por Berisha është gjithnjë i paparashikuar dhe zgjedhja e Presidentit mbetet e vetmja çështje ku Meta të mund të tregojë se është dikushi në atë koalicion. Nëse nuk arrin të faktorizohet edhe kësaj here, atëherë është i lutur të mos na e përmendë më atë fjalën e bukur, integrim. Sepse i vetmi integrim që do i mbetet të bëjë, është të futet në strukturat e Partisë Demokratike.
