E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Berat: Fitorja, kontributi ynë. Do të mbajmë premtimet tona

meta

Berat- Teksa ka zhvilluar një takim falenderues për rezultatin e 23 qershorit në qytetin e Beratit, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se 22 mijë votat që LSI ka marrë në Qarkun e Beratit janë një kontribut i jashtëzakonshëm që qytetarët e të gjithë qarkut të Beratit kanë dhënë, që Berati të ecë më shpejt, Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit, në rrugën e integrimit, në rrugën e punësimit.

Sepse kaq mandate mund ti kishim marrë edhe me 120 mijë vota, por ne jemi krenarë sepse kemi dhënë kontributin maksimal në këtë fitore kaq bindëse të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Jam krenar njëkohësisht për të gjithë fushatën pozitive që bëri LSI-ja kudo në të gjithë vendin në çdo qytet, në çdo komunë në çdo lagje dhe në çdo fshat. Për mesazhin që u përcoll në mënyrë aq të përqendruar dhe korrekte nga të gjithë drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët tanë. Për mesazhin e bashkëpunimit dhe mesazhin e punësimit, sepse Shqipëria do të ecë më shpejt përmes bashkëpunimit dhe përmes punësimit të beratasve dhe të gjithë shqiptarëve, vijoi z. Meta.

Meta tha se qytetarët shqiptarë kanë votuar në mënyrë të veçantë atë profil mjaft pozitiv, mjaft bashkëpunues që LSI ka shfaqur gjatë viteve të fundit, gjatë muajve të fundit dhe sidomos gjatë gjithë fushatës, sepse Shqipëria do të ecë më shpejt përpara vetëm përmes rrugës së bashkëpunimit dhe vendosjes së interesave të vendit në plan të parë.

Sakaq Meta nuk harroi të premtojë se LSI do ti ndjekë me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që ka bërë në Berat për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit.

Do ti ndjekim me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që kemi bërë këtu për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojmë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit dhe njëkohësisht unë ju jap fjalën se do të jemi akoma më pranë, do të jemi akoma më të lidhur me njëri tjetrin dhe pas 23 qershorit gjithmonë kam qenë krenar që edhe unë jam nga Qarku i Beratit siç jeni ju të gjithë, por pas 23 qershorit jam akoma më krenar sepse ne e mbajmë fjalën, sepse ju e mbani fjalën,- theksoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›