E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Podgoricë nënshkruan tre marrëveshje

Gjatë qëndrimit atje, Meta ka zhvilluar një takim me homologun malazez Milan Roćen, me të cilin ka nënshkruar tre marrëveshje dypalëshe. Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh optimist për marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si "model për dy vendet fqinje që duan të ecin në rrugën e integrimit".

Duke i konsideruar marrëveshjet e nënshkruara sot si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Meta u shpreh për përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe malazeze se "në të ardhmen do të hartohen edhe shumë projekte të përbashkëta në fushën e mjedisit, energjetikës etj".

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyera, u shpreh z, Meta duke shtuar se "këto vende kanë një vizion dhe një objektiv të përbashkët për të ardhmen, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi".

"Me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë organizatë bregdeti i Adriatikut do të jetë i integruar në NATO", cilësoi z. Meta, duke shtuar se kjo siguri në rajon, do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik. Sipas tij "jemi në një epokë të re ku konkurojnë rajonet, të cilët krijojnë një mundësi më të madhe për investimet e huaja". "Shqipëria dhe Mali i Zi, përmes një bashkëpunimi të ngushtë do të forcojnë paqen dhe sigurinë, duke forcuar edhe situatën ekonomike", tha shefi i diplomavisë shqiptare.

Meta dhe homologu i tij malazez, Roćen, nënshkruan sot, në Podgoricë marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez", marrëveshjen mbi "Lëvizjen e ndërsjelltë të qytetarëve" dhe Marrëveshjen e Ripranimit.

Në vijim të vizitës së parë zyrtare në Malin e Zi, Meta do të takohet edhe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Kryetarin e Parlamentit, Ranko Krivokapiç. Gjithashtu, ai do të zhvillojë takime edhe me drejtues të partive kryesore politike shqiptare në Mal të Zi.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›