Meta në Spanjë, takon kreun e Bashkimit për Mesdheut
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në selinë e sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun, në Barcelonë, ku u prit nga sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit për Mesdheun, Ahmad Masa`deh.
Në hyrje të takimit, Meta përshëndeti zgjedhjen e z. Masa`deh në postin e rëndësishëm të sekretarit të BpM-së, si një diplomat me profil të lartë e të konsoliduar dhe e siguroi atë për mbështetjen e gjithanshme dhe të fuqishme të Shqipërisë në kryerjen e detyrës së tij të re. Meta u shpreh, gjithashtu, se angazhohet të jap ndihmesën e vet për funksionimin e Sekretariatit të Përgjithshëm, duke kontribuar me personel dhe mbështetje financiare. Nga ana tjetër, u shpreh Meta, Shqipëria është e gatshme të luaj një rol sa më aktiv në gjirin e BpM-së dhe për këtë ofrohet të jetë vendi pritës i takimeve në nivel ministrash në të gjitha fushat e veprimtarisë, si energji, bujqësi, mjedis, turizëm etj. Meta i shprehu sekretarit të Përgjithshëm të BpM-së se kjo vizitë është shprehje e dimensionit mesdhetar të politikës së jashtme të vendit tonë. Edhe pse për Shqipërinë përbën prioritet integrimi në strukturat europiane, ajo e sheh angazhimin në BpM si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme. Meta e ftoi z. Masa`deh të kryejë një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi nga Sekretari i Përgjithshëm i BpM-së.
31 Korrik 2010