Rama: “Thellimi i krizës së gjithëanëshme është shqetësuese”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në bashkëbisedimin e tij të përjavshëm me gazetarët u shpreh se thellimi i krizës së gjithëanëshme në Shqipëri po bëhet shqetësues. “Në ditët e fundit ka pasur shfaqje edhe më shqetësuese të krizës. Të krizës së gjithanshme, të krizës së demokracisë, të krizës së shtetit të së drejtës, por edhe të ekonomisë që është aspekti i krizës që cenon drejtpërdrejtë cilësinë e jetës së përditshme të familjeve shqiptare, të cilat sot po e ndjejnë përditë e më shumë se kriza po kufizon mundësitë e tyre për të shpenzuar dhe për të plotësuar nevojat jetike”, është shprehur Rama, ndërsa shtoi se shumë familje e kanë gjithnjë e më të vështirë për të mbyllur shpenzimet mujore. Ai gjithshtu e cilësoi krizë të rëndë të demokracisë faktin që buxheti i shtetit u miratua në Kuvend pa u debatuar. “Ato ndoshta më minimale për shumë e shumë familje që veçanërisht në rastin e pensionistëve apo të papunëve e kanë të pamundur ta mbërrijnë fundin e muajit në rast se nuk kanë një ndihmë nga pjesëtarët e familjes apo të afërmit në emigracion. Ka kaluar buxhet i rishikuar dhe ka kaluar duke shfaqur edhe në procesin e aprovimit, krizën e rëndë të demokracisë që manifeston vetë parlamenti, vetë hapësira parlamentare ku është e qartë se nuk ka as një minimum etik, e jo më pastaj demokratik. Për më tepër ky buxhet i rishikuar, i pa diskutuar nen për nen si asnjëherë tjetër në historinë e parlamentit shqiptar në periudhën e tranzicionit demokratik është tërësisht i pamjaftueshëm si masë për të përballuar krizën. Kriza e ka venë poshtë vendin dhe ka ikur shumë përpara, ndërkohë që qeveria përpiqet ta ndjekë nga pas, duke u munduar njëkohësisht ta fshehë, por masat e marra dhe posaçërisht ky rishikim buxheti nuk është as më shumë e as më pak po pranimi më kuptimplotë i ekzistencës së një krize që tashmë ka prekur ashtin e ekonomisë shqiptare”, - është shprehur Rama.
Rama: “Shqipëria ka nevojë për ndryshim, për t’u ndarë nga pushteti i mbrapshtë i Berishës”
Kryesocialisti: “Gjuha e përdorur ndaj presidentit, shpehje e një krize të re”
Rama thekson se PS-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka folur dje për nevojën për ndryshim të situatës politike dhe ekonomike të vendit. Ai ka bërë të ditur se vendi ndodhet në një krizë të thellë të gjithëanshme, e cila sa vjen e përkeqësohet dhe përgjegjëse për këtë është qeveria. Ai bëri thirrje për ndryshim, për një rrugë të re për Shqipërinë dhe për largimin sa më parë të pushtetit të mbrapshtë të Berishës. Rama e cilësoi të rëndë situatën ekonomike, ku sipas tij, shumë familje mezi ia dalin të mbyllin shpenzimet mujore. Më tej, ai u ndal në krizën e re mes maxhorancës dhe Presidentit, duke e cilësuar të pakuptimtë akuzat për shkelje të Kushtetutës, aq më tepër, sipas tij, të bëra nga ata që ngrysen e gdhihen me dy këmbët mbi Kushtetutë. Rama theksoi se PS-ja do të vazhdojë rrugën e protestave, deri në rrëzimin e qeverisë dhe tha se PS-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ndryshimi
“Përballë kësaj situate, sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për ndryshim, sot më shumë së kurrë Shqipëria ka nevojë për të parë me kurajo një rrugë të re dhe për t’u ndarë me guxim nga ky pushtet i mbrapshtë, i cili pasi grabiti zgjedhjet u humbet përditë shqiptarëve mundësi, vende pune, shpresa. Mjafton që të pyesni ata që jetojnë jashtë oborrit të pushtetit, ata që janë subjekt i fjalimeve të përditshme të kryeministrit dhe të oborrtarëve të tij për rritjen marramendëse ekonomike dhe do të dëgjoni as më shumë e as më pak, por thjesht të kundërtën. Realitetin e një Shqipërie pensionistësh të cilëve u thuhet se u është rritur pensioni 5 deri në 6%, ndërkohë që vetëm kostoja e ushqimeve u është rritur 6%, barabartë me rritjen e pensioneve. Telefoni për të lajmëruar urgjencën apo për nevojat më elementare jetësore, u është rritur po ashtu. Uji akoma më shumë. Energjia shumë më tepër. Të gjitha këto bashkë, jo vetëm e kanë zeruar, por e kanë bërë rritjen e ashtuquajtur të pensioneve të tyre një pesë me hiç”, - është shprehur kreu i PS-së.
Presidenti
Ai e cilësoi sulmin e radhës të PD-së ndaj presidentit si shprehje të një krizë të re të maxhorancës dhe qeverisë. “Sigurisht edhe tek kriza e re me Presidentin e Republikës, gjuha e përdorur ndaj të cilit, argumentat e përdorur kundër të cilit, janë as më shumë e as më pak, po shprehja e një krize të thellë, që është një krizë në radhë të parë organike e këtij pushteti. E këtij pushteti i cili buron nga një grabitje dhe nuk mund të rrijë në këmbë pa nënshtruar gjithçka, gjë që sigurisht nuk do të arrijë ta bëjë. Në formën e një kërkese aspak etike qoftë edhe në shprehje, adresuar si akuzë ndaj presidentit për gjoja shkeljen e kushtetutës dhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese që sot është në këtë derexhe, pikërisht për faj dhe përgjegjësi ekskluzive të atyre që akuzojnë, të atyre që akuzojnë mbi karriget e pushtetit të vjedhur që gjatë gjithë këtë viti ka treguar përditë se arsyeja themelore e vjedhjes së votave në 28 qershor ka qenë babëzia dhe njëkohësisht vullneti i mbrapshtë për të vënë në kontroll çdo gjë, duke gjunjëzuar Shqipërinë dhe shqiptarët, nën një rend punësh në kundërshtim me rendin kushtetues”, është shprehur Rama. Sipas tij maxhoranca ka përdorur një sërë metodash për të “gjunjëzuar të gjitha institucionet kushtetuese të këtij vendi, me forma dhe rrugë sa antikushtetuese, sa antidemokratike, sa antiqytetare, të ndërthurura të gjitha bashkë si shprehje të një vullneti të mbrapshtë, thjesht dhe vetëm për një pushtet interesash gjithmonë e më të mbledhura në një grusht njerëzish. Jemi në kushtet kur thellohet përditë manipulimi dhe falsifikimi i të dhënave të një ekonomie që në gojën e kryeministrit shfaqet në lulëzim, mu në zemër të një botë që është e gjitha e shkretuar nga efektet e krizës, por që në tryezat e familjeve shqiptare shfaqet si rrënim, në bilancet e sipërmarrjeve shqiptare shfaqet si rrënim, në tërësinë e punëve të vendit shfaqet si rrënim”, - ka theksuar ai. Ai shtoi se “në rast se kjo qeveri nuk largohet ka vetëm përkeqësim jo për shkakun tonë të opozitës shqiptare, jo për shkakun e Presidentit të Republikës, jo për shkakun e Drejtorit të Shërbimit Sekret, jo për shkakun e NATO-s apo SHBA-së, as për shkakun e të gjithë atyre njerëzve që sot janë përditë e më të pashpresë, por thjesht dhe vetëm për shkakun e keqqeverisjes dhe të babëzisë që karakterizon përditshmërinë e këtij pushteti të vjedhur”, - ka theksuar kreu i PS-së. I pyetur për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme lokale, Rama tha se “e dëshirojnë pa fund mospjesmarrjen tonë në zgjedhje dhe kanë arsye ta dëshirojnë. Ne na kanë përballë dhe do na kenë përballë. Duhet ta harrojnë se do të përsërisin Ruzhdien në zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin ato”, - është shprehur kryesocialisti.
31 Korrik 2010