E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Vlorë: Opozita nuk bojkoton zgjedhjet. Parlamenti i leshit, u kthye në parlamentin e veshit

Gazeta Shqip

metaKreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka deklaruar nga Vlora se nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata. Sipas tij ka ardhur koha që vendi të ketë një model të ri ekonomik.

Kush premton 250 mijë vende pune, kur nuk hapi dot 50 mijë në 8 vite i them se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët, se Vlora kërkon ndryshim. Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, një ekonomi që eksporton e konkurron. Ndaj jemi sot këtu për të thënë se Vlora nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe vetëkënaqësinë për ekonominë. Nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive të punëve publike po shkojnë në 300 milionë euro të papaguara, duke rritur kreditë e këqija, nuk mund të vazhdohet me eufori për ekonominë kur borxhi për mosrimbursimin e TVSH po arrin në 200 milionë euro, tha Meta. Kreu i LSI-së komentoi edhe zhvillimet më të fundit në Kuvend, i cili sot miratoi ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj kryesocialistit Edi Rama pas incidentit në Vjenë me diplomatin Egin Ceka.

Ne jemi sot këtu për të shprehur vendosmërinë tonë si forcë politike për ti qëndruar larg konfliktualitetit politik shterpë që mban peng mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin Evropian. Ne duam një Shqipëri pa politikan përçarës, të cilët e kthyen para një jave Parlamentin në Parlamentin e leshit dhe sot e kthyen në Parlamentin e veshit. Ne na duhet një Parlament që merret me shqetësimet kryesore te vendit dhe reformat qe e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje te lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar, theksoi ai. Meta siguroi kryeministrin Berisha që opozita jo vetëm që nuk do i bojkotojë zgjedhjet e 23 qershorit, por u shpreh i sigurt për fitoren e tyre.

Dua ti them kreut të PD-së nga Vlora të mos shohë ëndrra me sy hapur që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, pasi opozita, Vlora dhe Shqipëria duan që zgjedhjet të bëhen sot. Ne duam të nisim një politikë bashkëpunimi dhe me demokratët që sot janë në mazhorancë pasi ata janë komshinjtë tanë, pasi ata e dhanë maksimumin që mund të jepnin gjatë këtyre 8 viteve, tani është koha për ndryshim dhe përmes këtij ndryshimi do të ketë një bashkëpunim. Ne jemi të sigurt në fitoren e këtyre të zgjedhjeve. Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi fitoren në Shkodër dhe kulmin do e ketë në Vlorë më 23 qershor. E kemi të pamundur të mundim Berishën në Vlorë 8 me 2, por ju jap fjalën se do e mundim 9 me 3. Ashtu sikurse ju jap fjalën se 12 kandidatët e LSI do jenë djemtë dhe vajzat e Vlorës që qëndrojnë dhe jetojnë me hallet dhe shqetësimet e këtij populli të mrekullueshëm. Rroftë Vlora historike dhe fitore për të mirën e gjithë shqiptarëve, gjithë Vlorës dhe të mirën e Sali Berishës, përfundoi Meta.

29 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)

Meta në Vlorë: Opozita nuk bojkoton zgjedhjet. Parlamenti i leshit, u kthye në parlamentin e veshit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›