Meta nga Gramshi damkos PS-në si tradhëtare për ndryshimet kushtetuese
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit të Gramshit duke vlerësuar lëvizjen Rinore për Integrim si forca më e madhe e politikës shqiptare. “Rinia Shqiptare”, tha mes të tjerash Meta, “nuk mund të mbetet peng e kësaj qeverie të korruptuar, fenomen i cili eksplozoi përmes shpërthimit të Gërdecit”. Edhe në këtë takim Meta ka shfaqur kundërshtimin për marrëveshjen e arritur PS-PD për ndryshimet kushtetuese e cila sipas Metës ka prodhuar një “Gërdec kushtetues”. “Gjatë dy viteve të fundit korrupsioni është rritur në mënyrë tepër shqetësuese dhe ne e dimë që aq shumë i rrit korrupsioni sa këtë rradhë eksplodoi përmes shpërthimit të Gërdecit duke marrë shumë jetë njerëzish dhe femijësh. Pas kësaj Sali Berisha vazhdon të krekoset si kryeministër dhe jo vetëm kaq por në 21 prill iu dhanë atribute që nuk i kishte kryeministri deri më sot në kushtetutën e vendit. Një ndryshim i tillë forcon pushtetin e tij dhe bën që Berisha të jetë i pakontrollueshëm nga parlamenti”, deklaroi Meta. Më tej kreu i LSI-së Ilir Meta i ka bërë thirrje të rinjve të Gramshit të vazhdojnë përpjekjet për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.