Meta për pakicat: Ne, kontribut për shqiptarët kudo që ndodhen
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta tha sot se "mbështetja që Qeveria shqiptare ka dhënë për komunën e Gracanicës dhe për komunitetin serb në Kosovë është një mbështetje që synon forcimin e institucioneve atje".
Ai shtoi se "përpjekja për të keqkuptuar një politikë të tillë shumë largpamëse dhe kurajoze është thjesht një ftesë për të hyrë në një debat foklorik". Qeveria shqiptare ka akorduar një fond modest ndihme prej 400 mijë euro për komunën e Gracanicës.
Meta i është përgjigjur edhe shqetësimit të ministrit të pakicave në Republikën e Malit të Zi, Ferhat Dinosha, i cili deklaroi se Shqipëria nuk i ka ndihmuar aspak shqiptarët e Malit të Zi.
"Ata kanë patur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë, ashtu sikurse ne u kemi kërkuar edhe të realizojnë një bashkëpunim më të mirë brenda vetes së tyre në mënyrë që të paraqesin në mënyrë sa më të besueshme kërkesat e tyre për një integrim edhe më të denjë të tyre sipas standardeve europiane. Vëmendja jonë ka qenë edhe deri në skajet më të largëta ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, deri edhe në Plavë e Guci, dhe do të vazhdojë e tillë kudo që jetojnë shqiptarët. Edhe në Ukrainë, ku, ju e dini që ka në komunitet shqiptarësh, edhe ndaj tyre do të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm", u shpreh Meta.
Për sa i përket Kosovës, Meta tha se njohja e pavarësisë së shtetit të ri do të jetë prioritet i vazhdueshëm i qeverisë shqiptare.