Topalli me median, Kryetarja e Kuvendit uron gazetarët për Vitin e Ri
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në mjediset e Kuvendit drejtues të medias, botues, gazetarë dhe analistë në një takim të veçantë për festat e fundvitit.
Në atmosferën festive, Kryetarja e Kuvendit u takua e bisedoi me ta për politikën, gazetarinë, por edhe për punën, familjen dhe pritshmëritë për vitin 2010.
Duke falënderuar të gjithë për punën dhe përkushtimin e tyre në këtë mision sa të vështirë, aq edhe të rëndësishëm, Kryetarja e Kuvendit tha se është e vërtetë që politika ushqen mediat çdo ditë me lajme, po aq sa është e vërtetë që edhe politika ushqehet me lajmet e medias çdo ditë. Në fakt, tha ajo, "politika dhe media jo gjithmonë raportet i kanë shumë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën".
Ajo vuri në dukje se viti 2009 ishte një vit i mbarë. "Në jetën time politike nuk di një vit më të mbarë në termat politikë, të integrimit euro-atlantik të vendit tonë, sesa ky vit. Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve te BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave", tha Kryetarja e Kuvendit. Sipas saj, ngjarje kaq të mëdha në procesin integrues Shqipëria nuk ka pasur, ndaj dhe 2009 konsiderohet një vit i suksesshëm dhe i mbarë.