E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta për sulmin kibernetik: Situatë që kompromenton funksionimin e shtetit! Të merren masa të menjëhershme

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me sulmin kibernetik, si pasojë e të cilit janë mbyllur përkohësisht shërbimet publike online.

Me një postim në Facebook, meta shkruan se situata krijuar është tepër e rëndë, ndërsa thekson se, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit.

Meta bën thirrje që të merren masa të menjëhershme për vënien nën kontroll të situatës sa më shpejt.

“E vlerësoj tepër të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike online, që ka krijuar vështirësi të jashtëzakonshme për qytetarët, bizneset dhe për shumë veprimtari të tjera të lidhura me këtë sistem. Në mënyrë të përsëritur edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare përpara agresionit kundër Ukrainës, kam kërkuar marrjen e të gjitha masave për rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar ngjarje të tilla. Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti. Apeloj marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, shkruan Meta.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri me dije ditën e djeshme (17 korrik), se si pasojë e një sulmi kibernetik, shërbimet publike online dhe faqet e tjera qeveritare do të mbyllen përkohësisht. Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e këtyre sulmeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›