Çështja “Babale”, shtyhet sërish seanca në Apel ndaj Salianjit

Është shtyrë sërish seanca në Gjykatën e Apelit ndaj deputetit demokrat, Ervin Salianji për çështjen “Babale”. Shkak për shtyrjen e seancës, që ishte planifikuar të zhvillohej këtë të hënë në orën 14: 00, është bërë një kërkesë e depozituar nga avokatët e të të pandehurve dhe mungesa e njërit prej gjyqtarëve. Dita dhe ora se kur do të zhvillohet seanca e radhës, nuk është bërë ende me dije.
Seanca e mëparshme në Apel u zhvillua më 4 korrik, ku të pranishëm në sallë, në mbështetje të Salinajit ishin deputetët demokratë Belind Këlliçi, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Kasem Mahmutaj, Isuf Çela dhe Selaudin Jakupllari. Megjithatë seanca u shty për shkak se nuk plotësohej trupi gjykues pasi mungonte gjyqtarja Elona Toro.
Salianji është shpallur “fajtor” për veprën penale “kallëzim i rremë” në lidhje me çështjen “Babale”. Gjykata vendoi 1 vit burg për Salianjin, ndërsa në mbështetje të tij ka dalë PD, duke e kundërshtuar jo pak herë vendimin e shkallës së parë. Sipas PD, prokurorët dhe gjyqtarët janë të kapur nga qeveria dhe se kjo e fundit kërkon t’i heqë mandatin Salianjit.
/rtsh.al/