E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, pranon ftesën e Berishës për koalicion

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka pranuar ftesën e kryeministrit Berisha për koalicion. "Me përgjegjësi historike dhe atdhetare pranoj ftesën e Berishës për koalicion. Pranoj ftesën për nisjen e negociatave", tha ai. Meta deklaroi se është konsultuar me faktorë vendas dhe të huaj në marrjen e këtij vendimi. Sipas tij, ky është i vetmi vendim që ndihmon vendin. "Isha i gatshëm të qëndroja në opozitë, por LSI-ja nuk mund të qëndrojë në opozitë përballë një mazhorance PD- PS", tha ai. Meta tha se ftoi Ramën për bashkëpunim, por sot për shkak të rezultatit, që prodhon vetëm krizë, marrëveshja Rama-Meta është e pamundur. "Marrëveshja Rama-Berisha u provua, dhe i vetmi në opozitë ishte Meta, dhe u provua se kjo solli vetëm krizë. Solli kodin zgjedhor që solli këtë rezultat skandaloz. Ndaj marrim këtë vendim që i shërben integrimit europian", tha kreu i LSI-së. Sipas Metës, vendimi i LSI-së sjell stabilitet për vendin. "Kushti i vetëm është që Berisha t'i përmbahet angazhimeve të shprehuara edhe sot, që ky koalicion t'i shërbejë integrimit europian të Shqipërisë", tha Ilir Meta. Sipas tij, programi i mazhorancës së re, të djathtë dhe të majtë do mundësojë liberalizmimin e vizave të shqiptarëve. "Për të majtën, mendoj se ka dy rrugë, një rrugë përmes LSI-së për të kontribuar në qeverisjen e vendit, në shërbim të interesave të vendit, dhe ajo e një opozite aktive që mendoj se do ta realizojë PS-ja", tha Meta. Sipas tij, marrëveshja Berisha-Meta do jetë transparente.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›