Meta pret Krivokapic: Bashkëpunim për integrimin
Ai shtoi se "takimet në nivele të larta politike nxisin thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat". Bashkëpunimi në kuadër të integrimit të përbashkët evropian si dhe zhvillimet në rajonin ballkanik ishin temat e diskutuara gjatë takimit të sotëm midis zv/kryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dhe Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapić. Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe vlerësoi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, duke shprehur kënaqësinë për arritjen e liberalizimit të vizave me zonën Shengen. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapić, theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira dhe se "ato shërbejnë si një model i vërtetë për vendet e tjera të rajonit". Duke falënderuar për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, z. Krivokapić theksoi gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencat reciproke në kuadër të integrimit evropian të të dy vendeve.