E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta pret ambasadoren maqedonase: Të zbatohet Marrëveshja eOhrit

Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti sot në një takim kortezie Ambasadoren e Republikës së Maqedonisë, Blagorodna Mingova-Krepieva, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Tiranë.
Marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon si dhe procesi integrues në BE ishin temat kryesore të diskutuara gjatë këtij takimi.

Pasi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, Meta nënvizoi se ecuria e reformave dhe fryma e zhvillimeve të brendshme në Maqedoni duhet të jetë e tillë që të mos bëhet pengesë në proceset integruese, duke evidentuar me këtë rast rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Nga ana e saj, Ambasadorja Mingova-Krepieva vlerësoi stadin aktual të bashkëpunimit ndërinstitucional mes të dy vendeve dhe, në veçanti, dialogun politik dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Në këtë kontekst, Zëvendëskryeministri Meta siguroi për realizimin, së afërmi, të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›