E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta pret ekspertët spanjollë për diplomacinë kulturore

Ekspertët do të punojnë me diplomatët shqiptarë dhe personalitete të shquar në fushën e artit dhe kulturës për hartimin e një strategjie dhe plani veprimi për diplomacinë kulturore shqiptare. Në takim ishin të pranishëm dhe Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, si dhe përfaqësues të zyrës së PNUD-it në Tiranë.

Gjatë takimit, z. Meta u shpreh mbi rëndësinë që Qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Jashtme në veçanti, i kushtojnë zhvillimit të diplomacisë kulturore si një nga instrumentet më të rëndësishëm për lartësimin e imazhit të Shqipërisë në botë, në shërbim të proceseve integruese të vendit. Z. Meta shprehu bindjen se vendimi i MPJ-së për të krijuar një Drejtori të posaçme për Promovimin dhe Bashkëpunimin Kulturor, është një tregues kuptimplotë për përkushtimin e Qeverisë në drejtim të promovimit të vlerave të padiskutueshme të artit dhe të kulturës shqiptare nëpër botë.

Nga ana e tyre, ekspertët spanjollë e informuan ministrin Meta, mbi takimet që ata kanë zhvilluar gjatë kësaj jave me përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme kulturore në Shqipëri, si dhe me aktorë të rëndësishëm të shoqërisë civile dhe jetës artistike në vend, në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur ekspertët e MPJ-së në hartimin e një Strategjie për Diplomacinë Kulturore sa më të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë.

Kjo Strategji, do të ndihmojë jo vetëm në rritjen e profilit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por do të shërbejë edhe për zhvillimin e promovimin e vlerave historike të trashëgimisë sonë kulturore dhe artistëve bashkëkohorë shqiptarë. Ata vlerësuan gjithashtu edhe rëndësinë që MPJ i jep bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me strukturat homologe të vendeve evropiane në këtë fushë.

Ardhja e misionit të ekspertëve spanjollë në Shqipëri, përbën hapin e parë që Ministria e Punëve të Jashtme po ndërmerr për përforcimin e kapaciteteve të saj në fushën e diplomacisë kulturore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›