E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta shpall trafikun parlamentar - lufte civile me Edvinin për numër deputetësh

Megjithëse ndryshimet kushtetuese e kaluan fazën e miratimit në Kuvend dhe tashmë as Gjykata Kushtetuese nuk pritet të investohet që t’i kthejë mbrapsht ato, kreu i LSI-së, Ilir Meta, po përpiqet me të gjitha mënyrat, deri tek të pamundurat, që t’i shfuqizojë ato. Politika destruktive e ndjekur së fundmi nga kreu i LSI-së, duke filluar nga paralajmërimet për protesta popullore shesheve të vendit e deri te referendumi popullor, si shprehje e kundërshtimeve kushtetuese, tregon se kreu i LSI-së po ndjen humbjen e kësaj beteje me dy partitë e mëdha politike dhe po orvatet me cikërrima duke u bërë prijës i tyre. Për të realizuar kërkesën e referendumit LSI-së i duhen plot 28 firma deputetësh, që realisht si forcë e vogël politike që është, në horizont nuk duket dritë jeshile për realizim, megjithëse ai nuk po resht së bëri thirrje socialistëve që t’i bashkohen partisë së tij. Ai u ka kërkuar edhe deputetëve të PS-së, të cilët votuan ‘pro’ ndryshimeve kushtetutese që të tregohen të përgjegjshëm dhe të tregojnë se nuk mund të hedhin poshtë sakrificat e popullit shqiptar. Në këtë drejtim, eksponentët e LSI-së janë vënë në lëvizje nga Meta për të hyrë në negociata me atë deputetë dhe forca politike që votuan kundër draftit të ndryshimeve në Kushtetutë për të siguruar 28 firma, duke legjitimuar kështu kërkesën për referendum kundër ndryshimeve kushtetuesë. Ndërkaq, dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka vërshuar me akuza të mbushura me cinizëm e xhelozi në drejtim të kryeministrit Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit si më të korruptuarin në Evropë. Gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit Meta u shpreh se do të mbrojë deri në fund demokracinë, do të rivendosë republikën dhe nuk do të pranojë kompromis me puçistët. Siç bëhet e ditur në këtë grup militantësh bën pjesë edhe aleatja më e ngushtë e PS-së, Partia Social-Demokrate e Skënder Gjinushit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes Metës dhe Gjinushit, kreu i LSI-së ka vendosur të kërkojë votat e tij. Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi zhvilloi dje rreth mesditës një takim me kreun e PSD-së Gjinushi. Burime nga takimi bëjnë të ditur se është folur rreth mundësisë së zhvillimit të një referendumi, ndërsa është kërkuar që edhe Gjinushi të hedhë firmat së bashku me deputetët e tij në kërkesën përkatëse. Nuk është bërë e ditur nëse Gjinushi ka pranuar kërkesën e LSI-së, por negociatat do të vazhdojnë me të gjithë eksponentët e mundshëm në Kuvend. Për të realizuar idenë e një referendumi, LSI-ja ka hyrë në kontakt me të gjithë aktorët politikë që janë shprehur kundër saj, përfshi këtu edhe deputetët mbështetës të Nanos. Kjo, pasi dy deputetë të njohur si të Nanos, Durim Lamaj e Taulant Dedja, votuan kundër draftit. Në këtë aksion përfshihet edhe deputeti Petro Koçi, i cili paralajmëroi qysh më parë se do të votonte kundër ndryshimeve. Nisjen e negociatave për mbledhjen e firmave të nevojshme e bëri publike edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. “Do t’i drejtohem çdo deputeti të firmosë pro referendumit për Presidentin nga populli, do t’ia kërkoj këtë edhe Fatos Nanos", - u shpreh Meta. Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Pëlllumb Xhufi, e konsideroi dje legjitime kërkesën për referendum. “Mundësia e zhvillimit të referendumit është e zhvilluar në Kushtetutë dhe nuk ka arsye dhe as kode që të mund ta ndalojnë një gjë të tillë”, - tha Xhufi. Pro kësaj kërkese është shprehur edhe kryealeancisti Ceka, i cili mbështet jo vetëm zhvillimin e këtij referendumi, por edhe protestat e paralajmëruara nga LSI-ja kundër Ramës dhe Berishës. Ndërsa LSI-ja, por edhe parti të tjera janë duke u konsultuar me ekspertë ligjorë për të parë se cila është rruga më e mirë ligjore për të ndjekur në këtë rast, ka edhe njohës të mirë të ligjeve që nuk e kanë mirëpritur një nismë të tillë, duke vënë në dyshim efektet pozitive të saj. Ndërkaq, nga ana tjetër, deputeti Spiro Peçi edhe pse ishte kundër paketës së ndryshimeve PD-PS, deklaroi pas votimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese se në këtë rast nuk ka vend për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi edhe kjo e fundit do të mbështetet në Kushtetutë. Ndryshimet në Kushtetutë u miratuan në fillim të javës, në bazë të këtyre ndryshimeve ishte sistemi zgjedhor, zgjedhja e Presidentit, mocione ndaj Kryeministrit, mandati i prokurorit të përgjithshëm si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Largimi i deputetit Lutaj, Ceka: Gjenerali që u bë ushtar i Ramës/Trafiku i deputetëve i njohur si një medotë politike në opozitë, kryesisht në Partinë Socialiste, tani ka kaluar në PAD-në e Cekës, ku deputeti Pirro Lutaj, ka braktisur më në fund partinë e Cekës për ngrehinën ylberiste të Ramës. Ai prej kohësh kishte përsëritur se do të largohej nga PAD, dhe tashmë u ka dhënë fund akuzave të Cekës për të shkuar përfundimisht tek PS. Një largim i tillë nuk është pritur mirë nga Kryealeancisti Neritan Ceka. Përsa i takon këtij largimi të deputetit Lutaj drejt ylberistëve, Ceka tha shkurtimisht dhe ironikisht se “nuk e njoh”. Por në komentin e tij të mëtejshëm ai nuk e ka kursyer ironinë për Lutajn që ka dalë deputet nga kjo parti. “Kam pasur shumë ushtarë që deshën të bëheshin gjeneralë, ndërsa vetëm një gjeneral që deshi të bëhej ushtar dhe ky është Piro Lutaj”, tha Ceka. Acarimi i marrëdhënies mes Cekës dhe Lutajt kanë nisur qysh pas zgjedhjes së Presidentit. Por ajo që i ka dhënë fund gjithë situatës ishte pozicionimi i Partisë Aleanca Demokratike kundër Ramës dhe pro koalicionit të Metës. Gjatë deklarimeve të tij, Lutaj ka kritikuar shpesh Metën për qëndrimin ndaj koalicionit të majtë. Megjithëse nga ana tjetër kreu i PAD-së duket i vendosur në pozicionimin e ri të partisë së tij, duke u bërë pjesë e koalicionit të nisur prej Ilir Metës.
Milo: Rama, përgjegjës për prishjen e reformës zgjedhore, injoroi tryezën tonë/Partitë e vogla të opozitës, nuk reshtin së shigjetuari Partinë Socialiste, pas mbështetjes që dha në ndryshimet kushtetuese, duke zgjedhur së bashku me mazhorancën sistemin elektoral dhe modalitetin e zgjedhjes së Presidentit. Komiteti drejtues i Partisë Demokracia Sociale, i mbledhur dje për të diskutuar dhe vendosuar mbi të ardhmen e saj pas përcarjes së koalicionit të majtë, ka hedhur akuza të ashpra mbi kryetarin aktual të PS-së Edi Rama, duke e akuzuar si përgjegjës për prishjen e reformës zgjedhore. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka deklaruar se do të jetë i vëmendshëm në hedhjen e hapave për bashkëpunime politike me partitë e tjera. Milo akuzoi liderin socialist se nuk i është përgjigjur asnjë lloj thirrjeje të tyre për një tryezë opozitare që sipas tij do të forconte të majtën. Gjithsesi Milo tha se për aleanca të reja të partisë së tij do të vendoset pas disa javësh. Ne do të bashkohemi me cdo parti politike që synon të mbrojë vlerat e demokracisë në Shqipëri dhe që synon ti mbrojë këto vlera nga uzurpimi politik, i cilit do kahu qoftë”, nënvizoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›