E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Koha që Shqipëria të kandidojë për anëtarësim të plotë edhe në BE

Ju jeni në Tiranë prej shtatorit të vitit 2006. Do të doja të dija prej jush, si e shikoni rolin e Bashkimit Europian në Shqipëri këto dy-tre vitet e fundit?
Faleminderit për rastin që më dhatë të jem këtu me ju. Unë besoj se BE ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Shqipërinë në 2-3 vitet e shkuara. Ne kemi financuar një sërë projektesh dhe kemi dhënë asistencë për programe të ndryshme, po përmend asistencën për regjistrimin e popullsisë dhe për të patur një gjendje civile të besueshme. Bashkimi Europian është përpjekur të asistojë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian, nëpërmjet një projekt programi dhe një raporti vjetor ku shikohet se sa Shqipëria po i respekton standardet evropiane. Bashkimi Evropian është i gatshëm të japë ndihmën dhe asistencën kurdoherë që kjo t’i kërkohet. Vlerësimi im është pozitiv. Unë besoj se edhe partnerët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë do të japin një vlerësim pozitiv për punën që ka bërë Bashkimi Evropian në Shqipëri.

Në Bruksel, Shqipëria nuk trajtohet më nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë që trajton gjithë globin, por nga Drejtoria e Zgjerimit. A është ky një hap më tej drejt aspiratës për integrim të plotë?
Shqipëria është një vend potencial kandidat dhe ka një perspektivë të qartë evropiane në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Është normale që departamenti administrativ në BE të merret me Shqipërinë, sepse është departamenti që ka më shumë eksperiencë kundrejt vendeve kandidate për në BE.

Shqipëria, para tri javësh, në Samitin e Bukureshtit mori ftesën për t’u anëtarësuar në NATO dhe shpreson që në samitin e ardhshëm, në Berlin, të bëhet anëtare me të drejta të plota. Sa ndikon marrja e kësaj ftese në procesin e anëtarësimit në BE? Është e drejtë të themi se vende të tjera të Lindjes si Bullgaria dhe Rumania me t’u bërë anëtare të NATO-s u konsideruan se morën një vend në paradhomën e Bashkimit Europian?
Ftesa për në NATO iu dha Shqipërisë në raport me progresin që ka bërë ajo në fusha të ndryshme, si funksionimin e demokracisë, këto kritere janë të rëndësishme për të matur progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Por numri i kushteve që duhet të plotësohen në BE janë më të shumta.

Por thelbi mbetet i njëjtë?
Ka një sërë normash dhe ligjesh të BE-së që rregullojnë funksionimin e tregut të brendshëm dhe nuk ka diçka të tillë të ngjashme në NATO...

Zoti ambasador, ju përmendët se Shqipëria është një vend potencial për anëtarësim. A është momenti për të bërë kërkesën zyrtare për të qenë vend kandidat për në BE?
Kjo është në dorë të Shqipërisë që të gjykojë se kur është momenti i duhur për të aplikuar. Jam i sigurt se politikanët shqiptarë do të shqyrtojnë me kujdes se kur duhet ta bëjnë këtë kërkesë për anëtarësim. Skenari më i keq do të ishte një përgjigje “jo” dhe rasti i dytë më i keq do të ishte kur shtetet anëtare do të binin dakord në mënyrë unanime, dhe kur nuk arrihet ky unanimitet, atëherë kërkesa për aplikim do të përfundonte në sirtar, dhe unë jam i bindur që politikanët shqiptarë që do të merren me këtë çështje, do të presin momentin më të volitshëm kur Shqipëria të jetë e bindur se e arrin këtë unanimitet.

Shqipëria i plotëson kriteret e Kopenhagenit, principet demokratike, zgjedhjet e lira, të Drejtat e Njeriut... Para dy javësh, në Paris, zv/kryeministrja e Malit të Zi, që është edhe ministre e Integrimit, deklaroi se vendi i saj, brenda muajit qershor, do të bëjë kërkesën për të qenë kandidat për në BE, në një kohë që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ratifikuar vetëm nga dy vende, ndërsa Shqipëria, nga njoftimet e deridjeshme, ka arritur në 17 vende. Thuhet se gjërat në këtë botë vijnë ose më herët, ose më vonë, por asnjëherë në kohën e duhur. Është Shqipëria vonë apo herët për të bërë kërkesën për të qenë vend kandidat i BE-së?
Konsideratat që unë sapo përmenda, sigurisht që kanë të bëjnë edhe me Malin e Zi. Normalisht që Shqipëria, në momentin e duhur, do të ketë aplikimin e vet. Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është një nga kushtet e rëndësishme për kërkesën për avancimin e marrëdhënieve me BE-në. Që të jesh vend kandidat, duhet të vërtetosh se ke mundësi që të marrësh përsipër angazhimet që dalin nga marrëveshja. Shqipëria ka ratifikuar marrëveshjen me 15 shtete anëtare. Disa vende anëtare duhet të finalizojnë procesin e ratifikimit.

Thuhet se perceptimi dhe imazhi ndonjëherë janë më të rëndësishëm se vetë realiteti. A e keni gjetur këtë “mospërputhje” edhe këtu në Shqipëri?
Sigurisht që ka një ndryshim mes asaj si perceptohet Shqipëria jashtë vendit, sidomos në vendet anëtare të BE-së dhe realitetit që është këtu. Por edhe perceptimet nuk dalin nga hiçi. Janë realitetet e të kaluarës që mbase nuk qëndrojnë më. Do të duhet kohë dhe shumë punë për të afruar realitetin dhe perceptimin për Shqipërinë. Besoj se jeni në rrugën e duhur dhe shpejt do të ketë një konvergim mes realitetit dhe perceptimit.

Zoti ambasador, ku mendoni ju se janë fushat që Shqipëria ka arritur progres të qartë në raport me kërkesat e Brukselit?
Komisioni Europian, një herë në vit, boton një raport të detajuar për fushat ku Shqipëria ka arritur progres dhe në fushat ku ka nevojë të bëjë më shumë. Nëse do të shikojmë në të kaluarën e afërt, që prej ardhjes time këtu, do të thoja që Shqipëria ka bërë progres në përmirësimin e klimës politike, në bashkëpunimin mes shumicës dhe opozitës, dhe kemi parë disa rezultate nën këtë shpirt bashkëpunimi.

Në Lubjanë, në deklaratën e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, u tha se “Shqipëria është vend për t’u marrë shembull për kursin e reformave...”. Më konkretisht, përtej frymës së bashkëpunimit dhe përmirësimit të klimës politike ku duhet të marrin shembull vendet e tjera të rajonit?
Jam i sigurt se të gjitha vendet e tjera të rajonit do të shikonin progresin e Shqipërisë, ashtu sikundër edhe Shqipëria do të shohë progresin e bërë në vendet e ndryshme. Komisioni Europian jep pikëpamjet e tij mbi situatën në Shqipëri dhe progresin që është bërë në Shqipëri, dhe vlerësimi për këtë vit do të jepet në mënyrë të detajuar, në nëntor të këtij viti.

Cili është leximi juaj për dinamikën e performancës së shumicës aktuale që prej shtatorit të vitit 2005?
Përgjigjja e kësaj pyetje është shumë e afërt me përgjigjen që dhashë për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ka progres të qartë në disa fusha dhe një sërë fushash ku progresi është më i kufizuar dhe mund të përmirësohet. Ka dëshirë për të ecur përpara në shumë fusha dhe për të arritur një konsensus sa më të gjerë politik.

Nga 1 deri në 10, a mund të na rendisni tri prioritetet që duhet të ketë qeveria shqiptare?
Nuk do të dëshiroja t’i listoja me pikë, por është e qartë se ka disa prioritete që janë shumë të rëndësishme dhe po them disa që po më vijnë ndër mendje: është funksionimi i demokracisë, i institucioneve demokratike që është shumë-shumë i rëndësishëm dhe çdo gjë që përfshin funksionimin e shtetit ligjor; është kapaciteti i administratës, i punonjësve civilë, që zbatojnë legjilascionin i cili nuk duhet të gjendet vetëm në ligje dhe fletoret zyrtare, por duhet zbatuar në jetën e përditshme. Gjithashtu duhet vijuar me vendosmëri lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe gjithashtu duhet vijuar me reformat ekonomike në mënyrë që Shqipëria të bëhet një vend interesant për investitorët e huaj dhe të bëhet gjithnjë e më interesant për ato që duan të bëjnë biznes në Shqipëri.

Zoti Ambasador ju sapo përmendët nevojën për luftën ndaj korrupsionit. Qeveria thotë se ka një vullnet të qartë politik dhe po lufton me sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin. A e ndani edhe ju këtë optimizëm?
Është arritur progres, por besoj se është e qartë se duhet ende shumë punë. Unë mund të them se ka një mendim të njerëzve se ka korrupsion që fillon psh me gjobat që venë policët për tejkalim shpejtësie, etj. Është nevoja për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar atë në të gjitha nivelet, në nivelet e administratës dhe kudo. Unë jam i bindur se kjo qeveri e merr seriozisht luftën ndaj korrupsionit, por duhet bërë shumë më tepër...

Shpejtësia me të cilën u bënë ndryshimet kushtetuese a e dëmton cilësinë e procesit?
Kushtetuta është një dokument shumë i rëndësishëm dhe ndryshimet në kushtetutë nuk duhen bërë pa u menduar mirë, duhen bërë si duhet dhe duhet një analizë e thellë dhe një debat i gjerë, të ketë kohën e duhur për të marrë vendimet e nevojshme. Sa i përket ndryshimeve për sistemin elektoral ka patur një diskutim të gjatë për ndryshimet dhe zgjidhja u gjet. Koha për ndryshimet e tjera ishte më e shkurtër, por të gjithë ndryshimet janë miratuar nga një shumicë mjaft e madhe në Parlament dhe kështu që shumica e legjislatorëve shqiptarë menduan se kishin kohën e mjaftueshme për këtë proces.

Ndryshimet në sistemin zgjedhor lënë jashtë loje ose ngushtojnë hapësirën për partitë e vogla. Është kjo e shëndetshme për një demokraci si Shqipëria që t’i afrohet modelit anglo-saxon dhe jo të një sistemi me shumë parti në Parlament?
Siç e thashë ka sistem të ndryshme në vende të ndryshme demokratike që janë demokratik në vetvete. Për shembull nëse sheh sistemin zgjedhor në Gjermani ka 3-4 parti që përfshihen në Parlament, nëse sheh sistemin e Mbretërisë së Bashkuar kemi sistemin “first past the post” (ai që del i pari fiton përfaqësimin) dhe kemi shumë votues që nuk kanë përfaqësues në Parlament. Siç e thashë më parë është në dorë të çdo vendi të zgjedhë sistemin që i përshtatet. Shqipëria e ka bërë këtë zgjidhje dhe ne do të analizojmë ndryshimet e bëra me komisionin e Venecias, dhe OSBE- ODHIR...

Një përcaktim për BE ka qenë edhe ai i një “klubi kristian”. A keni ndeshur ju një perceptim të Shqipërisë si një vend me shumicë myslimane?
Jo. Në fakt është një plus që Shqipëria i sjell Europës, një vend kaq harmonik dhe paqësor, një bashkëjetesë shumë e mirë e komuniteteve të ndryshme fetare, kjo është një shembull për rajonin dhe për Europën. Kështu që nuk ka asnjë perceptim negativ për Shqipërinë si një vend me shumicë myslimane. Aspak.

Përveç tolerancës fetare me çfarë tjetër besoni se kontribuon Shqipëria në familjen e vendeve të BE-së?
Bashkimi Europian është një bashkim vlerash. Shqipëria si anëtare e BE-së do të demonstrojë respektimin e këtyre vlerave, demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, minoriteteve. Ajo që i sjell Shqipëria si vlerë shtesë Bashkimit Europian është koncepti i mikpritjes...

Marrë me shkurtime nga emisioni “Përballë” në TVSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›