E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta solidarizohet me Berishën : “Fletërrufe” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër Sali Berishës!

Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka dalë në mbrojtje ish presidenti Sali Berisha, i cili sëbashku me familjen e tij është konsideruar i “padëshirueshëm” në SHBA nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken. Në një status në Facbook zoti Meta e  konsideron “”fletërrufe” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit”.
Sipas tij ajo vjen në një kohë kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht, ndërsa janë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik.
Presidenti Meta i ka dërguar një mesazh solidariteti ish presidentit dhe ish kryeministrit Berisha, ndërsa e konsideron vendimin e DASH “akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.

Statusi i plotë

Të dashur qytetarë shqiptarë dhe bashkëkombas kudo në botë,
Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit.
Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik.
Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe  mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme: 
“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›