E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon Fylen: Shqipëria ka bërë progres për vizat, zgjidhni ngërçin politik

Komisioneri për Zgjerimin bën apel për zgjidhjen e ngërçit politik

Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje në Bruksel një takim të veçantë me komisionerin e BE-së për Zgjerim dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë, Stefan Fyle. Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht mbi ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe rreth vlerësimit pozitiv që Komisioni Europian ka dërguar në Parlamentin dhe Këshillin Europian. Në këtë kuadër, Meta dhe Fyle biseduan edhe mbi perspektivën europiane të të gjitha vendeve të rajonit, duke u fokusuar te Konferenca e Sarajevës, që do të mbahet në qershor. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe mbi situatën politike në Shqipëri, ku u theksua angazhimi që duhet të kenë të gjitha palët në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi Fyle ka bërë apel për zgjidhjen e krizës politike. Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Bruksel, Meta ka raportuar në Komisionin për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian, ku ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha forcave politikë në Shqipëri për proceset integruese të vendit.
Vlerësimi
“Patëm një diskutim shumë të mirë rreth çështjes së vizave. Ka një vlerësim tashmë që është ndarë me vendet anëtare dhe me Parlamentin Europian. Më duhet të them se është një vlerësim i mirë, i cili evidenton progresin e shkëlqyer që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit. Janë ende dy-tri çështje, të cilat duhet të adresohen, por mendoj se janë parakushte që, le të themi se do të përmbushen përgjatë (njëkohësisht) procesit të përbashkët të Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian gjatë këtij viti, për të konsideruar rekomandimet relevante të Komisionit, të cilat janë bazuar mbi këtë vlerësim shumë të mirë. Dhe jam absolutisht dakord që patëm një shkëmbim shumë të mirë mendimesh rreth aspektit rajonal. Kemi folur patjetër rreth planeve për Konferencën e Sarajevës në qershor, sepse përveç afirmimit të perspektivës europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo Konferencë do të fokusohet midis të tjerave në aspektin rajonal”, - është shprehur Fyle.
Raportimi
Ministri i Jashtëm Meta raportoi në Parlamentin Europian për reformat e realizuara nga qeveria në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit europian. Në këtë seancë eurodeputetët kanë kërkuar informacion për situatën politike në vend dhe rrezikun që ajo mund të krijojë vonesa në procesin integrues. Shefi i Diplomacisë shqiptare tha së anëtarësimi në Bashkimin Europian ka nevojë për kontributin e të gjithë faktorit politik. Ai shprehu bindjen se opozita do të vendosë të bashkëpunojë në këtë drejtim. “Rreth vonesave në procesin e integrimit ka ose nuk ka përgjegjës, nuk dua të adresoj fajtorë këtu. Është e vërtetë se vetëm dy dekada më parë Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës, vendi më i izoluar dhe në dy dekada ne jemi anëtarësuar në NATO dhe kemi vendosur marrëdhënie të tilla me shtetet e Europës që do të na lejojnë me siguri anëtarësimin në BE. Koha për një anëtarësim të tillë varet nga reformat brenda vendit dhe gjithashtu nga vullneti dhe qëndrimi i mbajtur nga Bashkimi Europian rreth një zgjerimi të ardhshëm. Por mendoj se ka ardhur koha të kuptojmë se gjithsecili duhet të japë kontributin e tij për përshpejtimin e procesit dhe shpresoj që ky është edhe vullneti i opozitës në vendin tim, pasi kjo parti ka dhënë një kontribut të madh në të shkuarën për axhendën e integrimit të vendit. Mendoj se kreu i PS-së dhe kreu i PD-së do të takohen, sepse kjo ka ndodhur në të shkuarën me sukses, siç ndodhi me Kushtetutën dhe Kodin Elektoral. Dhe për të qenë më pozitiv një bashkëpunim i tillë është në interesin e vendit dhe integrimit në Bashkimit Europian”, - është shprehur Meta gjatë raportimit të tij.

Vizat, qeveria angazhon Policinë e Shtetit në ruajtjen e kufirit

Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë, se do të vazhdojë ristrukturimi i Policisë së Shtetit në përputhje me obligimet e reja të Shqipërisë që dalin nga procesi i heqjes së vizave. “Vazhdon reforma e Policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në Policinë e Kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave duhet t’i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e Udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, - u shpreh kryeministri. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është bërë e qartë se sistemet tona janë ndër më modernet, duke informuar se një tjetër gjysmë milion euro është për fuqizimin e serverëve dhe të të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›