Bregu: “Liberalizimi do të bëhet brenda afatit të premtuar nga qeveria”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka garantuar se liberalizimi i vizave për shqiptarët do të realizohet brenda afatit të premtuar nga qeveria “Berisha”. Ajo gjithashtu rrëzoi zërat se Bosnja është para Shqipërisë në realizimin e kushteve për të përfituar liberalizimin. Sipas Bregut, Shqipëria është para çdo vendi të rajonit. “Ai skenar i parashikuar, që gjithçka do të përmbyllet brenda vitit 2010, nuk ka asnjë shtyrje. Ne nuk kemi kërkuar të jemi shtesë në këtë projekt, ne nuk kemi kërkuar të jemi zgjatim në këtë proces, kemi kërkuar dhe i kemi qëndruar gjithmonë me dinjitet opinionit dhe qasjes sonë që ky është një proces meritash. Nuk kërkohet të na bëhet asnjë lëshim i tepërt, përkundrazi, të vlerësohemi realisht dhe objektivisht për detyrime të plotësuara edhe më mirë se sa vendet e tjera”, - tha Bregu. Sipas ministres, lidhja mes krizës politike dhe një vonese në qarkullimin e lirë nuk ekziston. “Unë nuk shoh asnjë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave, ose të paktën asnjë lidhje të qenësishme ndërmjet procesit të liberalizimit të vizave dhe këtij ngërçi politik në vend. Çfarëdolloj ecje përpara në BE ka një vlerë më të madhe dhe do të ishte shumë mirë që të mos përcillnim më asnjë shqetësim së brendshmi”, - tha Bregu.
Basha: “Shqipëria ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave”
Ministri i Brendshëm ka bërë të ditur se Shqipëria ka plotësuar kushtet për ta përfituar liberalizimin e vizave me BE-në. “Politikat e emigracionit të Shqipërisë janë në përputhje me politikat e Bashkimit Europian dhe kanë luajtur një rol thelbësor në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, - u shpreh Basha gjatë fjalës së mbajtur në tryezën e diskutimit për emigracionin e organizuar dje nga shoqëria civile.
Ndërsa deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, tha se pas liberalizimit të vizave Shqipëria do të vazhdojë të ketë emigracion, i cili tashmë nuk është më periudha të shkurtra, por me kohë të gjatë. “Shqipëria është një vend me potencial migrator shumë të lartë dhe duhen politika të reja, sepse emigracioni po kthehet në afatgjatë dhe të ligjshëm”, - u shpreh Leskaj. Ajo theksoi se arsyeja e migracionit është papunësia e madhe në Shqipëri. Por, nëse Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave, asnjë prej shtetasve nuk mund të rrijë më gjatë se tre muaj në një vend të Bashkimit Europian brenda një viti kalendarik nga data e daljes nga pikat e kalimit kufitar shqiptar.
29 Prill 2010