Meta takon ambasadoren britanike në Tiranë
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham. Gjatë këtij takimi kortezie, z.Meta dhe ambasadorja McIlwham vlerësuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin reciprok për të thelluar në veçanti marrëdhëniet në fushën e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në sistemin gjyqësor. Meta i shprehu ambasadores McIlwham mirënjohjen e tij për mbështetjen e deritanishme të Britanisë së Madhe dhe e siguroi atë për bashkëpunim të frytshëm nga ana e qeverisë shqiptare. Ambasadorja McIlwham e siguroi Metën për mbështetjen që Britania e Madhe do të vazhdojë t‘i ofrojë Shqipërisë në avancimin e shpejtë të procesit integrues në strukturat euro-atlantike dhe atij të liberalizimit të vizave.