Meta: Protesta e opozitës është e pakuptimtë
Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, konfirmoi dje se Shqipëria ka dorëzuar në Bruksel raportin e dytë për liberalizimin e vizave. Për të përfunduar këtë proces, Meta ka kërkuar edhe mbështetjen e opozitës, ndaj e ka quajtur të pakuptimtë vendimin e saj për të protestuar, siç ai e përkufizoi, "kundër integrimit të vendit". Meta theksoi se "Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita padyshim që është e lirë të bëjë dhe protesta demokratike, pasi në vendet demokratike këto gjëra ndodhin. Të bësh një protestë kundër liberalizimit të vizave, të bësh një protestë kundër integrimit europian, unë këtë nuk arrij dot ta kuptoj". Duke mos dashur të ndërhyjë shumë në vendimet e opozitës, ministri i Jashtëm ka deklaruar se pavarësisht protestave të PS-së, "qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit europian, dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave". Të jeni gjithashtu të sigurt, vijoi ai, se të gjithë ata që do të përpiqen ta vonojnë apo ta dëmtojnë këtë proces, do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar, sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit. Duke u ndalur te raporti që Ministria e Jashtme ka dorëzuar në Bruksel, Meta deklaroi se "raporti përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi, siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik, si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut". Sipas tij, përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm në evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por edhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Europian. Do të ishte në interes të vendit, theksoi ai, që në këtë proces të rëndësishëm të përfshihej edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhet të mungojë dhe do të jetë i vlerësuar në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Duke dhënë garancinë se qeveria do të përmbushë premtimet e bëra gjatë fushatës, Meta tha se "edhe dje, qeveria shprehu vendosmërinë e saj për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë të gjitha detyrimet e kërkuara që do të bëjnë të mundur që qytetarët tanë të fitojnë një aspiratë shumë të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave me BE". Gjithashtu ai deklaroi se qeveria ka shprehur vullnetin maksimal për të përmirësuar më tej standardet e zgjedhjeve, të cilat u vlerësuan me shumë objektivitet nga faktorët ndërkombëtarë dhe natyrisht ne jemi të vendosur për të arritur standardet më të larta të vendeve më të zhvilluara të BE-së.
E.Gjura
E.Gjura