E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon ambasadorin Hoffman dhe përfaqësuesen e OSBE-së për lirinë e medias

TIRANË-Një sërë takimesh ka zhvilluar sot Kryetari i Parlamentit, z Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë takimit të mërkurën me ambasadorin gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffman, theksoi se Qeveria e re ka shumë energji të reja, ndërsa Parlamenti do të kontribuojë pozitivisht në drejtim të rritjes së klimës bashkëpunuese mazhorancë-opozitë.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Ambasadorit Hoffman, kryeparlamentari Meta u shpreh se marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit, por edhe në planin dypalësh.

Ambasadori gjerman, pasi e uroi z. Meta për marrjen e detyrës së kryetarit të Kuvendit, e siguroi atë për forcimin e rolit mbështetës të Gjermanisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, por edhe përmes asistencës që pala gjermane jep për mbarëvajtjen e punës së Parlamentit.

Gjithashtu, Hoffman u shpreh se ka ardhur koha që Shqipëria të projektojë një imazh të ri në botë dhe se Gjermania do të ndjekë me interes progresin e vendit në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në drejtësi dhe përmirësimit të klimës ekonomike e sociale.

Z. Meta shprehu gatishmërinë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Parlamenteve të të dy vendeve, ndërsa theksoi kontributin e Kuvendit në drejtim të rritjes së klimës bashkëpunuese mes mazhorancës dhe opozitës, me qëllim forcimin e stabilitetit, mënjanimin e konfrontimeve të panevojshme, dhe me fokus drejt zhvillimit institucional, social dhe ekonomik të Shqipërisë, në rrugën e integrimit evropian.

META-MIJATOVIÇ:DO KONSOLIDOJMË LIRINË E MEDIAS SIPAS STANDARDEVE
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë takimit të mërkurën me përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, shprehu angazhimin për konsolidimin e lirisë së medias në Shqipëri, sipas standardeve europiane.
Përfaqësuesja e OSBE-së, pasi e uroi kryetarin e Kuvendit për marrjen e detyrës së re, shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të forcuar asistencën që Zyra e Lirisë së Medias u jep institucioneve të Republikës së Shqipërisë. "Vlerësojmë politikën e dyerve të hapura të institucioneve shqiptare dhe kemi shpresa të mëdha në punën e qeverisë së re", tha ajo.
Meta nga ana e tij theksoi se do të bëhet gjithçka, jo vetëm të garantuar lirinë e medias, por për ta konsoliduar atë sa më afër standardeve bashkëkohore evropiane.
"Në këtë drejtim, vullneti ynë është të punojmë për zgjidhje konsensuale që përfshijnë jo vetëm aktorët parlamentarë, por edhe shoqërinë civile, grupet e ndryshme të interesit dhe përfaqësuesit e medias", u shpreh kryetari i Kuvendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›