Meta thotë se me Norvegjinë duhen rritur lidhjet turistike

Tiranë, 4 Shkurt, NOA - Zëvendëskryeministri
dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, priti sot në një takim pune
ambasadorin e Norvegjisë në Shqipëri, Sverre Jahan Kvale dhe zëvendësdrejtorin
e përgjithshëm të politikave bilaterale dhe drejtor i Ballkanit Perëndimor në Ministrinë
e Punëve të Jashtme, Nils Ragnar Kamsvag.
Meta shprehu konsideratat më të mira për marrëdhëniet
mes dy vendeve tona si në planin bilateral ashtu edhe në atë shumëpalësh. Ai u
ndal veçanërisht në domosdoshmërinë e intensifikimit të raporteve ekonomike të
cilat tanimë kanë ndërtuar bazat e duhura për një ecuri shumë inkurajuese në të
ardhmen, duke u fokusuar në fushën e energjetikës, ndërtimit etj.
Gjatë takimit, Meta nënvizoi gjithashtu se diversifikimi
i këtyre marrëdhënieve edhe në fusha të tjera si ajo e turizmit, edukimit dhe
kulturës duhet të jetë prioritet në funksion të konsolidimit të marrëdhënieve
tona dypalëshe.
Nga ana tij, ambasadori Kvale vlerësoi me nota
shumë pozitive gatishmërinë dhe bashkëpunimin që vendi i tij ka gjetur tek
Qeveria shqiptare në realizimin e disa projekteve të rëndësishme, ku spikat ai
i gjigandit Statkraft, në ndërtimin e kaskadës mbi lumin Devoll.
Gjithashtu, z. Kvale duke vlerësuar zhvillimet
dhe progresin e kryer nga Shqipëria në të gjitha fushat, i komunikoi z.
Meta interesin në rritje të biznesit norvegjez për të investuar në
Shqipëri.
Drejtori i Ballkanit Perëndimor pranë MPJ
norvegjeze, z. Kamsvag, shprehu interesin e tij për tu informuar në lidhje me
progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE-në dhe veçanërisht në
lidhje me hapat e fundit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të përmbushur
kriteret e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Gjithashtu, palët shkëmbyen mendime për
zhvillimet politike më të fundit në rajon, duke vënë theksin në rolin
konstruktiv dhe stabilizues të Shqipërisë në Ballkan.
Në përfundim të takimit, Ministri i Punëve të
Jashtme, z. Meta, i transmetoi ambasadorit të Mbretërisë së Norvegjisë, ftesën
që Ministri i Jashtëm norvegjez, Jonas Gahr Stør, të vizitojë Shqipërinë.
e.r/NOA