Meta&Basha: Raportim pozitiv për parakushtet e Brukselit, gati vendimi për heqjen e regjimit të vizave
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua sot me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Imigracionin dhe Azilin, Jean Louis De Brouwer. Vizita e Brouwer në Tiranë bëhet në kuadër të fazës finale të dialogut për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE. Gjatë takimit, zv/kryeministri Ilir Meta e informoi De Brouwer mbi plotësimet e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga ana e qeverisë shqiptare. Ai vuri në dukje hapat që janë marrë në lidhje me bashkëpunimin mes agjencive në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, menaxhimit të integruar të kufijve, ecurinë e proçesit të prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike, si dhe paketën e strategjive, plan-veprimeve dhe projektligjeve të miratuara në proçes. Më tej, Meta u përqendrua në punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për të siguruar jo vetëm miratimin në kohë por edhe zbatimin e plotë të angazhimeve ligjore dhe institucionale që janë ndërmarrë në këtë kuadër.
De Brouwer, siguroi Metën për vullnetin dhe angazhimin e Komisionit Evropian për ta përmbyllur këtë proçes brenda gjashtëmujorit të parë të 2010, duke iu referuar madje edhe procedurave të reja që aplikohen pas hyrjes në fuqi të traktatit të Lisbonës.
Më pas ministri Meta dhe De Brouwer dhanë prononcime të posaçme për shtyp.
“Unë i kam theksuar, De Brouwer se sot, kur në të gjithë Evropën kujtohet rënia e murit të Berlinit, për ne shqiptarët, arritja e kësaj marrëveshje për liberalizimin e vizave me BE është si një rënie për së dyti e këtij muri që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë. Ndaj ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian për t’i dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave tha Meta. Ne jemi të ndërgjegjshëm se mbetet ende për të bërë dhe do të bëjmë çdo gjë për t’i përmbushur të gjitha detyrimet tona, duke qenë të bindur se edhe Komisioni, dhe të gjithë shqiptarët, këtë presin” shtoi më tej Meta.
Ndërsa në prononcimin e tij De Brouwer tha se është në Tiranë sot për të shkëmbyer mendime me qeverinë shqiptare rreth punës dhe gjendjes së deritanishme në lidhje me proçedurat e liberalizimit të vizave. “Siç dihet, ky proçes bazohet mbi udhërrëfyesin që përfshin kërkesat mbi vizat. Ky është një proçes objektiv, i qartë dhe jopolitik, që bazohet mbi vlerësimin e përbashkët të situatës dhe zhvillimeve në këtë drejtim. Qeveria shqiptare ka bërë hapa shumë të mëdhenj gjatë këtyre muajve të fundit. Janë adoptuar plane veprimi dhe janë përgatitur projektligje. Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga Qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e saj në këtë drejtim. Ky raport do të shërbejë si baza e planifikimit të përbashkët në nivelin e lartë zyrtar për fazën tjetër të proçesit të liberalizimit të vizave. Edhe një herë, ky proçes është i qartë, objektiv dhe transparent” tha Brouwer.
Edhe Ministri Basha priti në takim Zv. drejtorin e Përgjthshem për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian De Brouwer
Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha priti sot në një takim Zv.drejtorin e Përgjithshem për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian Z. Jean-Louis De Brouwer dhe Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin Z. Luigi Soreca.
Ministri Basha paraqiti për funksionarët e Komisionit Europian ecurinë e deritanishme dhe arritjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave me BE.
Konkretisht, Ministri Basha informoi se: -Ka arritur në afro 252 mijë numri i aplikimeve për pasaporta biometrike, nga të cilat rreth 244 mijë janë prodhuar. Sistemi i aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit është nga më modernët në Europë, është i shpejtë dhe funksionon me efikasitet të plotë. -Janë trajnuar të gjithë zyrtarët që merren me lëshimin e dokumentave. -Është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, është mundësuar lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it dhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në vijim do të krijohet një ndërfaqe elektronike për ndërlidhjen e këtyre sistemeve mes tyre dhe me sistemin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ndërkohë po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin 'one stop shop' që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj. Po punohet në të njëjtën kohë edhe për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar. -Po punohet për vendosjen e lexuesve optikë të pasaportave biometrike në të gjitha pikat e kalimit kufitar. - Policia e Shtetit po punon për përfundimin e Regjistrit Kombëtar për të Huajt brenda muajit nëntor. - Është në zbatim plani i veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve e Terrorizmit. Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha shprehu bindjen pas këtij informacioni që paraqiti në takim, se ekspertët e Komisionit Europian që do të vizitojnë së shpejti Shqipërinë do të konstatojnë këto arritje dhe do të përcjellin një raport pozitiv në Bruksel lidhur me përmbushjen e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. Zv. drejtori i Përgjithshem për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian Z. Jean-Louis De Brouwer vlerësoi maksimalisht këto arritje duke u shprehur se kriteret kryesore të udhërrëfyesit ose janë përmbushur plotësisht, ose janë pranë konkretizimit. De Brouwer e cilësoi mjaft të rëndësishëm edhe faktin se mekanizmat dhe sistemet e krijuara funksionojnë normalisht, janë efikase dhe janë konkretizim i planeve të veprimit dhe strategjive përkatëse të qeverisë shqiptare.
Duke konstatuar vullnetin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit dhe për arritjen e standarteve Schengen, De Brouwer u shpreh optimist se ekspertët e delegacionit të KE që do të vizitojnë Shqipërinë do të përcjellin një raport pozitiv për progresin e arritur.
Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë Z. Helmut Lohan.