E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE: Zhbllokoni reformat

Autori i Lajmit: Suela Topi
Politika shqiptare duhet të zgjidhë problemet e saj dhe të zhbllokojë reformat. Kjo është këshilla që diplomatët e Bashkimit Evropian i kanë dhënë vendit tonë. Deklarata është bërë nga ambasadorë të vendeve të BE-së mes të cilëve ai gjerman, austriak, polak, çek etj të cilit ishin mbledhur dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me rastin e përkujtimit të rënies së murit të Berlinit. Në këtë kuadër sipas tyre duhet të zgjidhet dhe bojkoti i Kuvendit nga opozita shqiptare. Ambasadori gjerman, Bernd Borshard ka theksuar se ndërkombëtarët nuk mund të ndërhyjnë në këtë pikë dhe se kompromisi duhet të vijë nga të dyja palët. Ambasadorët e BE-së kanë dënuar edhe njëherë dhunën ndaj gazetarit Mero Baze ndërsa kanë pohuar se është e tmerrshme kur një gazetar dhunohet aq më tepër për shkak të detyrës.

Konferenca

Përkujtimi i rënies së Murit të Berlinit ka mbledhur tetë ambasadorë të Bashkimit Evropian në një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë këtij komunikimi me median ata i kërkuan politikës shqiptare që të zgjidhë brenda saj problemet që prej muajsh kanë bllokuar aktivitetin normal të institucioneve në Shqipëri. Ambasadorët mes të cilëve ai gjerman, austriak, polak apo ambasadorja e Çekisë kanë deklaruar se bojkoti nuk i ndihmon interesit evropian të Shqipërisë dhe se duhet bërë çdo përpjekje nga të dy palët për të gjetur gjuhën e përbashkët në funksion të realizimit të reformave që sigurojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tyre kjo situatë politike po krijon një imazh negativ tek vendet anëtare të unionit, ndërsa aplikimi i Shqipërisë për statusin e kandidatit prej muajsh fle në sirtarët e BE-së. Duke zgjedhur rrugën e mesazheve, ambasadorët bënë të ditur se ndërkombëtarët në këtë pikë nuk mund të zgjidhin gjë, pasi vetëm politika shqiptare e ka në dorë zgjidhjen. Ambasadori gjerman Bernd Boshard dhe ai austriak Rauing u shprehen se zgjidhja duhet të vijë nga vetë pozita e opozita dhe jo nga ndërhyrja ndërkombëtare. “Kompromisi duhet të zgjidhë situatën, dhe ky kompromis duhet dhënë nga të dy palët”, - tha Boshard. Kurse austriaku, Florian Rauning theksoi se “që të jeni pjesë e BE-së duhet ti zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”. Më e drejtpërdrejtë ambasadorja ceke, Martjeta Fialkova theksoi se bojkoti i Kuvendit nga ana e PS nuk është në të mirë të interesave të Shqipërisë. Sipas ambasadores çeke, një gjë e tillë nuk po shikohet mirë pasi sipas saj, kjo nuk është rruga pozitive. Fialkova theksoi se prezenca e PS në Kuvend është domosdoshmëri. “Shqipëria që të integrohet në BE duhet të mbyllë procesin e reformave sikundër është ajo në drejtësi, por referendumi në drejtësi duhet fillimisht votuar në Kuvend, dhe votimi nuk është i mundur pa pjesëmarrjen e opozitës”, - tha Fialkova. Apeli i ndërkombëtarëve vjen në një kohë kur Evropa po feston rënien e Murit të Berlinit dhe fillimin e një epoke të re 20 vjet më parë. Në konferencën e përbashkët, 8 ambasadorët e vendeve që kanë vuajtur diktaturën komuniste në Evropë sollën eksperiencat e tyre personale, duke u bashkangjitur atyre dhe mesazhin inkurajues për zgjerimin e unionit edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, por sigurisht pasi ato të kenë përmbushur reformat.

Media

Mungesa e lirisë së medias në Shqipëri është rikthyer përsëri në vëmendjen e politikës ndërkombëtare. Ajo ka qenë një ndër çështjet e diskutuara dje nga 8 ambasadorët e Bashkimit Evropian të cilët ishin mbledhur në një konferencë të përbashkët për shtyp. Diplomati gjerman, Bernd Boshard i është rikthyer përsëri kësaj çështje duke dënuar ashpër dhunën e ushtruar pak ditë më parë ndaj Mero Bazes ndërsa e ka cilësuar atë një akt të tmerrshëm. “Është e tmerrshme kur dikush dhunohet. Është e tmerrshme kur dhunohet një gazetar e për më tepër kur kjo dhunë vjen për shkak të detyrës”, - u shpreh ai.

Ky lajm është publikuar: 10/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›