Vjedhja e radhës/Si i fali Edi Rama 1300 m2 tek parku “Rinia”

Speciale/Në vëmendje edhe të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama
Në kundërshtim me ligjet dhe për llogari të klientit të tij të preferuar, Edi Rama privatizoi shumë herë më lirë 1300 m2 truall në Parkun “Rinia” në qendër të kryeqytetit. Gazeta “55” nis sot publikimin e dosjes abuzive, prej së cilës u ngrit edhe një industri përfitimi që mbërrin në afro 1 miliardë euro
Dosjet e abuzimeve të Edi Ramës me trojet publike në Tiranë, nuk kanë të mbaruar.
Gazeta 55, prej tri ditësh botoi me dokumente, abuzimin e kryebashkiakut kryesocialist të Tiranës, me një rrugë në Tiranë, që e fshiu nga harta e kryeqytetit dhe ia dha me qira, për 80 mijë lekë (të vjetra) në vit mikut të tij Dash Peza. Nga ana e tij, Dash Peza, ngriti një pallat 12-katësh.
Ndërkohë, një dosje tjetër, sikurse është ajo e tjetërsimit e dyfishit të sipërfaqes ekzistuese, të Bar “Taiwanit”, te parku në qendër të Tiranës, do të zbardhet në ditët në vazhdim, nga gazeta “55”. Abuzimi me këtë tokë publike, në qendër të Tiranës, është as më shumë e as më pak, sipas të njëjtës skemë, me abuzimin me rrugën, që u zhduk nga harta e Tiranës, për llogari të Dash Pezës.
Edi Rama, i zgjedhur për kryetar të Bashkisë së Tiranës, pavarësisht “privatizimit” të procesit të vazhdimit të prishjes së kioskave dhe propagandimit të këtij procesi, duket se qëllim kishte, “shkuljen” e tyre nga parku “Rinia”, për t’i dhënë mundësi më pas mikut të tij të përfitonte dyfishin e sipërfaqes ekzistuese të “Taiwanit”.
Dhe pasi u shkulën të gjitha kioskat e parkut në qendër të Tiranës, Edi Rama filloi procedurat për “faljen” e më shumë se 1300 m2 tokë, Besnik Sulajt.
Kundër çdo ligji të shkruar e të pashkruar, Edi Rama, pa pasur aspak kompetencë shitjen e trojeve publike të Tiranës, i shiti Sulajt, 1300 m2 tokë me një çmim mëse qesharak. Sipas kontratës së jashtëligjshme të shitjes së tokës, mësohet se Edi Rama, e ka shitur truallin tek “Taiwani”, me një çmim prej 12 mijë lekë (të reja) për m2.
Shkeljet e Edi Ramës, vazhdojnë pastaj, me “inkurajimin” e legalizimit të objektit që dyfishoi sipërfaqen, por edhe të truallit nën këtë objekt, i dyfishuar edhe ky në sipërfaqe. Legalizimin e objektit dhe i truallit, të rritur në sipërfaqe dy herë, Edi Rama, ka marrë guximin ta bëjë, shumë më herët se dalja e një ligji për legalizimin. Ndërsa një ligj për legalizimet, u miratua vetëm pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, saktësisht pas ndryshimit të konfigurimit politik, Edi Rama e nxiti këtë proces, më tepër për të mbuluar abuzimin e tij, nisi procedurat e legalizimit, shumë më herët miratimin e një ligji që rregullonte këtë proces.
E ndërsa ky abuzim, me gjithë përpjekjet e Edi Ramës, për ta mbuluar sa të mundej, “ngeci” te Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila nuk pranoi ta regjistrojë si pronë, abuzimi nuk ka kaluar pa rënë në sy edhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Në një raport të tij, jo më larg se një vit më parë, KLSH ka konstatuar shkeljen e Bashkisë së Tiranës, e cila ka shitur 1300 m2 tokë, duke mos qenë e regjistruar më parë në regjistrat e hipotekës, si pronë e kësaj bashkie.
Abuzimi i radhës, si gjithmonë ka kaluar pa rënë në sy vetëm nga Prokuroria e cila as pas raportit të KLSH-së, nuk ka ndërmarrë asnjë hetim të mundshëm për zbardhjen e këtij skandali me tokën publike në Tiranë.
(Vijon)