E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta:Kemi strategjinë tonë për zgjedhjet

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, theksoi në Elbasan se "LSI nuk ka asnjë aleancë me asnjë nga partitë, që dhunuan kushtetutën në 21 prill, si dhe prodhuan një kod të dyshimtë". "LSI do të ketë aleancë me forcat me të vërtetë demokratike dhe progresive. Ajo do të ketë dy aleanca, një për mbrojtjen e votës, e cila nuk do të ketë dallime partiake dhe tjetra koalicioni elektoral", tha kryetari i LSI-së, Meta në një takim me strukturat e kësaj partie në qytetin e Elbasanit. Sipas tij, LSI është një forcë e madhe dhe do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme. "Me aprovimin e Kodit të Ri Zgjedhor detyra jonë rritet dhe merr dimension të ri dhe ne do të jemi garant të mbrojtjes së votave, jo vetëm të LSI-së, por të çdo qytetari shqiptar", tha kryetari LSI-së, Meta. Duke u ndalur tek strategjia e kësaj partie, Meta deklaroi se, "ne kemi strategjinë tonë për të fituar votën në zgjedhjet e ardhshme, por edhe strategjinë për të qenë garant për mbrojtjen e votës së çdo qytetari dhe për këtë do të kemi një asistencë shumë të fuqishme ndërkombëtare. Jemi në kohën e duhur dhe kemi të gjithë kohën e duhur për të parandaluar çdo problem që ka të bëjë me votën e lirë dhe të sigurtë të qytetarëve shqiptarë". Ai shtoi se Elbasani duke qenë një nga qarqet kryesore të vendit do të japë rezultate të shkëlqyera në zgjedhjet e ardhshme në qershor të vitit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›