Berisha:Investime për shkolla moderne me standarte europiane

Kryeministri Sali Berisha ritheksoi vëmëndjen e qeverisë së tij ndaj arsimit duke theksuar se "qeveria po investon në mbarë Shqipërinë për shkolla moderne, me standarde europiane, me kabinete informatike dhe me 25-30 nxënës në klasa". Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha i pranishëm në përurimin e shkollës 9 vjeçare në fshatin Pretushë, në rrethin e Pogradecit, një investim i buxhetit të shtetit, përgëzoi drejtuesit vendorë për ngritjen e shkollës së re në këtë zonë, si domosdoshmëri për krijimin e standardeve më të mira në shkolla, duke siguruar klasa me jo më shumë se 20-30 nxënës. "Shpreh kënaqësinë time që jam sot këtu dhe që përurojmë së bashku një shkollë 9 vjeçare, krahas shkollës ekzistuese të mirëmbajtur, në të cilën fëmijët tuaj do të ulen në klasa të mira, me 25 nxënës në klasë. Kryetari i komunës më informoi se ndërtimi i shkollës u bë i domosdoshëm, sepse klasat ishin të mbingarkuara me nxënës", tha kryeministri Berisha, sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë. Kreu i qeverisë u shpreh se "më vjen shumë mirë që përurojmë një shkollë moderne, ashtu siç po bëjmë në mbarë Shqipërinë, duke nënvizuar rindërtimin e rreth 700 shkolla ekzistuese, ndërsa që nga muaji mars i vitit që vjen, 2200 shkollat e vendit do të kenë kabinetet e informatikës". "Unë ju ftoj juve që kur Kryetari i PS-së të vijë tek ju pyeteni sa nxënës ka në klasat e kryeqytetit. Është turp që të detyrohemi të paguajmë apo të marrim me qera kafene që t'i bëjmë klasa për nxënësit në kryeqytet", tha kryeministri. Duke folur mbi alternativat e qeverisë, Kryeministri Berisha tha se alternativa e saj bazohet në vepra dhe premtime të mbajtura. Ai nënvizoi se, "ka edhe një alternativë tjetër që shëtit nëpër Shqipëri, alternativa e llafeve, e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve".