Meta:Rama presion drejtësisë, Braho ka diçka
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i ka bërë ftesë publike kreut të PS-së Rama që të ballafaqohet me të para mediave në lidhje me atë që ai e cilëson vdekja e drejtësisë. Në një konferencë për shtyp, kreu i LSI-së Meta ka theksuar se avokati Spartak Braho, prokuror i përhershëm, edhe pse jo në detyrë ka diçka që mund t`i shërbejë drejtësisë dhe Ramës, për të parë se kush ndërhyn në gjykata për të mbuluar çështjet e korrupsionit.
“Unë video origjinale nuk kam, por avokati i madh dhe prokurori i përhershëm, Braho ka dicka e cila do të ishte tepër pozitive për hir të transparencës që ka Edi si apel, por ai si prokuror i përhershëm, që ska nevojë të paguhet, ka ditë që kërkon zonjën Rama ta ndihmojë në këtë drejtim”- tha Meta.
“Nëse Edi do transparencë, të ballafaqohet përpara ndërkombëtarëve në lidhje me atë që e cilëson vdekja e drejtësisë dhe presioneve që i bëhen gjyqësorit. E ftoj që duke nisur nga sot Rama të dalë para shqiptarëve e ai të ketë orë për të dhënë prova, fakte, video, audio për kapjen që mund t`i jetë bërë gjykatës nga qeveria apo kryeministri. Meqë Edi na futi video përgjimet në politikë, kemi diçka jo montim, por origjinale, për të parë të gjithë se kush ndërhyn te prokuroria e gjyqtarët për qëllime politike” ka theksuar më tej Meta.
Ndërsa i është referuar edhe protestës së bërë nga FRESSH për "vdekjen e drejtësisë", Meta e ka cilësuar atë të papranueshme, ndërsa ka ironizuar edhe Ramën duke e cilësuar si biznesmen funerelesh.
“Sa për biznesin e funeraleve mendoj që nuk është njerëzore të ecim në këtë drejtim. Para se të vazhdojë me këtë biznes do ishte mirë që miku ynë i dashur Edi të kërkonte falje për gjendjen që i la varrezat në 11 vjet në krye të bashkisë së Tiranës” tha Meta.
Të rinjtë e FRESSH protestuan me një arkivol në supe ku shkruhej "Drejtesia ka vdekur", në reagim të vendimit të Gjykatës së Lartë që e shpalli Metën të pafajshëm.