Metafizika e dashurisë

Pas dy librave me poezi dhe një romani, autori Vilson Culaj e sprovon vetën edhe në fushën e tregimit. Në promovimin e librit të tij të ri me titull “Stuhi e fjetur”, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, me kumtesat e tyre u paraqiten studiuesit e letërsisë Prend Buzhala dhe Flamur Maloku.
Duke folur për këtë libër, i cili është botuar nga shtëpia botuese “Anton Pashku”, Prend Buzhala, që është edhe redaktor i librit, theksoi se kryetemë narrative e këtyre tregimeve është dashuria. Culaj, sipas Buzhalës, e ka intuitën për t’i kapur dhe kuptuar kërkesat e rrepta të tregimit, siç është shndërrimi i segmentit jetësor në fiksionin e pastër tregimtar, apo siç janë figurat reale historike që shndërrohen në karaktere të tregimit. “Sado që të 49 tregimet përshkohen nga e njëjta frymë e thelbit të dashurisë, të dashurisë si emocion në mes mashkullit dhe gruas, dashurisë për vendlindjen, dashurisë si humanizëm universal, megjithatë ndarja e tillë përfshin një sistem tipologjik tregimtar. Kështu dy ciklet e para mbështeten në poetikën e narracionit të thjeshtë tregimtar, ndërkaq dy ciklet e fundit ngërthejnë një tipologji tjetër që e pasuron krijimtarinë e autorit Vilson Culaj, atë të tregimit parabolik, meditativ e metafizik dhe atë të tregimit poetik e lirik”, u shpreh Buzhala.
Tregimet e këtij libri janë ndarë në katër cikle: ‘Vajza hoqi lotin nga qerpiku me maje të gishtit’, ‘Ajo shpoi gishtin me gjilpërë pranë dritares’, ‘Metafizika e dashurisë’ dhe ‘Zëri i dytë’. Buzhala theksoi se te cikli i parë tematika e dashurisë këndvështrohet në shumë anë. “Nga sekrete të shumta, të fshehta ekzistenciale, vibrime shpirtërore misterioze të paskajshme, sikur që është tregimi ‘Aborti’, ku poenta bie te femra si oqean sekretesh, siç shprehet personazhi, apo te bukuria që ankohet me të bukurën e saj, me dhimbjen nga tundimi”, tha Buzhala.
Ndërkaq, referuesi tjetër, Flamur Maloku, u shpreh se tregimet e këtij libri dalin në frymë të veçantë e në diskurs të veçantë. “Secili tregim ruan farën e vetë të shkrimit e meditimit. Ruajta e veçantisë është ruajtje e figurës-jetës. Aty ku është shkrimi, formulohet jetëgjatësimi i shpirtit e jetës”, u shpreh Maloku. Ai shtoi se si ide dhe si rrëfim, në përgjithësi shënjon katarzën shpirtërore përballë shkrimit e fiksionit në vijën e filozofisë njohëse. “Kur themi filozofi njohëse, nënkupton njëherësh se autori shtjellon tema në kuptimin e njohjes e të rinjohjes, të cilat njohje, rrëfimin e tregimeve e dërgojnë drejt një katarze shpirtërore e universale”, tha ai.
Ngjarjet e dëshmuara në rrëfimin e tregimeve, sipas Malokut, nuk kanë një pikë mbështetëse, dhe nga kjo krijohet rrëfimi, i cili rrëfim nuk ecë në një linjë, por në esencë krijon një besueshmëri para lexuesit, të cilat ngjarje hynë dhe shtjellohen, duke u argumentuar dhe komentuar nga pozicioni rrëfimtarit. “Këto ngjarje tani të shënjuara dhe të argumentuara, e të përshkruara nga një narrator i gjithëdijshëm, padyshim, si ide në kuptimin e kërkimit, dhe në ndërthurjen e vetëdijes njohëse, lexuesin e bëjnë për vete, më të cilat ngjarje lexuesi mishërohet, madje e bënë edhe të identifikohet më to. Kështu, gnoseologjia dhe estetika e përshkrimit të ngjarjeve, nëpërmjet situatave, narrative, të cilat karakterizohen në pikat themelore, të strukturës tekstore, padyshim shoqërohen me një emocionalitet në kuptimin e përjetimit gjatë rrëfimit të tregimeve”, u shpreh Maloku.
Në fund, fjalën e mori edhe vet autori i librit, Vilson Culaj, i cili, pasi falënderoi të pranishmit, foli për rrugën e tij krijuese.