E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy shfaqje për fëmijë në Teatrin e Metropolit

Shfaqjet
“Druvari i mirë” dhe “Lulet e Idës së vogël”, premierë për të vegjlit

Teatri i Metropolit për fëmijë hap dyert në datat 16 dhe 17 janar me dy shfaqje premierë. “Në ballon e luleve”, përshtatur nga përralla “Lulet e Idës së vogël”, e autorit H.K. Andersen dhe “Druvari i mirë”, i përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Mesi i javës do të sjellë këto shfaqje për kopshtet dhe fëmijët në nevojë. “Në ballon e luleve” do të vijë për të vegjlit nën regjinë e Adelina Muçës, me koreografi të Llaqi Nakos, koreografi të Morena Vatës e Olsida Muratit. Me aktorët Drilona Zalli, Genti Deçka, Lorenc Kajës, Ina Limanit e Lindita Alliut, si dhe me pjesëmarrjen e grupit të baletit për fëmijë, kjo pjesë e re teatrale sjell historinë e Idës, një vogëlushe dhjetëvjeçare bashkë me lulet e saj. çdo mëngjes dhe mbrëmje ajo kujdeset për lulet dhe i tregon gjithçka i ka ndodhur gjatë ditës. Fantazia e vogëlushes shkon deri aty sa krijon Ballon e Luleve, ku mbreti dhe mbretëresha janë trëndafili dhe karafili. Gjithçka që mund të ndodh në jetën e përditshme ndodh dhe në ballon imagjinare të Idës. Kujdesi i Idës ndaj luleve bie ndesh me dy djemtë çamarrokë, të cilët duan t’i këpusin ato. Ndërsa Ida mendon se lulet duan përkujdes dhe ato kanë të drejta si vetë njerëzit. Ida mëson se lulet janë pak a shumë si njerëzit, edhe pse ato nuk flasin, kanë nevojë për të gjitha shërbimet që të jetojnë dhe Ida arrin të kuptojë se lulet e duan dhe kanë nevojë për përkujdesin e saj.
Lulet e Idës është një përrallë, e cila u jep mundësi fëmijëve të jetojnë momente plot fantazi, gjë e cila është shpeshherë e nevojshme të jetë e pranishme në jetën e tyre. Shfaqja tjetër “Druvari i mirë” vjen nën regjinë e Genti Deçkës, nën interpretimin e Endri çelës, Ledian Papagjonit dhe Arbër Islamit. Skenografia e kostumografia i përkasin Shpëtim Bacës. Kjo shfaqje sjell historinë e një familjeje të varfër që jetonte duke bërë dru në pyll. Jeta e tyre ndryshon në momentin kur sëpata druvarit i bie në lum dhe aty njihet me peshkun magjik. Ky i fundit shprehet i gatshëm ta ndihmojë druvarin, duke i plotësuar tre dëshira në rast se ai e çliron prej grepit. I lumtur druvari kthehet në shtëpi, i tregon vëllait historinë, ku ky i fundit kërkon që peshku t’i plotësojë dëshira të tjera edhe më të mëdha. Pas plotësimit të këtyre dëshirave, druvari ndjen se tashmë nuk është më i lumtur, edhe pse është më i pasur. Në këtë moment i kërkon peshkut në kundërshti më të vëllanë t’i kthejë jetën e tij të varfër dhe të lumtur. Përmes kësaj shfaqjeje fëmijët mësojnë se paraja dhe pushteti nuk të bëjnë të lumtur. është dashuria e cila na mbush jetën plot lumturi.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›